Peskov: Putin do t’i fitojë lehtësisht zgjedhjet e reja

07/08/2023 10:42

Një vit para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Rusi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha New York Times se presidenti Vladimir Putin, “do të rizgjidhet vitin e ardhshëm me mbi 90 për qind të votave”.

Putin, që ka qenë në pushtet si kryeministër dhe president që nga fundi i vitit 1999, gjerësisht ka larguar elementet e demokracisë dhe lirisë që u vendosën tri dekada më parë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Gjatë sundimit të tij, ai ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, që është konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në intervistën më 6 gusht, Peskov bëri një deklaratë befasuese për zgjedhjet presidenciale ruse, duke thënë se “nuk është demokraci, është një burokraci e kushtueshme”.

Putin, i cili ka përdorur shtypjen më të ashpër ndaj opozitës ruse që nga kohët sovjetike, pritet t’i fitojë lehtësisht zgjedhjet.

Ai ka burgosur kundërshtarët, ka nënshtruar sistemin politik dhe ka shtypur lirinë e medias, duke i shndërruar zgjedhjet në një farsë të mbushjes së kutive të votimit dhe mashtrimeve zgjedhore.

Megjithatë, Kremlini ka vazhduar të insistojë se zgjedhjet ruse janë të lira. Pas publikimit të artikullit nga New York Times më 6 gusht, Peskov pretendoi se është keqcituar nga kjo media amerikane.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve RBK më 6 gusht, Peksov tentoi të riformulonte komentet e tij, duke thënë se “teorikisht” Rusia nuk ka nevojë të mbajë zgjedhje parlamentare sepse “është e qartë se Putin do të rizgjidhet”.

Është e paqartë se kush do ta sfidojë në zgjedhje Putinin, në një mjedis ku pothuajse çdo kritikë ndaj udhëheqësve rusë, çon në hetime.

Javën e kaluar, Rusia dënoi me 19 vjet burgim liderin opozitar, Aleksei Navalny, i cili do të jetë prapa grilave deri në vitin 2040.

Navalny, që ka hetuar korrupsionin në nivelet më të larta të Qeverisë ruse, u dënua nën akuza për ekstremizëm. Ai tha se akuzat ndaj tij janë të pabaza.

Ai është vetëm njëri nga disa liderë të opozitës që janë dënuar me burime të gjata për akuzat të sajuara që kur Putini nisi pushtimin e Ukrainës 17 muaj më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA