Japonia do të dyfishojë shpenzimet për mbrojtjen

07/08/2023 20:21

78 vjet më parë Shtetet e Bashkuara lëshuan dy bomba atomike në Japoni, duke vrarë qindra mijëra civilë në Hiroshima dhe Nagasaki, sulm që i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Kushtetua e Japonisë pas luftës vuri kufizime për forcat e armatosura, duke hequr dorë nga lufta si një e drejtë e vendit. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Hiroshima, kërcënimet në rritje nga Kina fqinje dhe Koreja e Veriut kanë nxitur një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të Tokios.

Në Japoni ata njihen si ‘hibakusha’ – të mbijetuar nga bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945. Mes tyre është 83-vjeçari Sueichi Kido.
“Dëgjova zhurmën e një aeroplani. Në momentin që ngrita sytë në atë drejtim, një rreze drite e shoqëruar me një gjëmim pushtoi gjithçka. Vala e goditjes më hodhi 20 metra larg dhe humba ndjenjat. Nëna ime pësoi djegie në fytyrë dhe gjoks, Gjysma e fytyrës time ishte djegur”, tregon për Zërin e Amerikës Sueichi Kido, i mbijetuar i bombës atomike në Nagasaki.
Rreth 215 mijë njerëz vdiqën menjëherë pas shpërthimit të bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Gjatë muajve dhe viteve në vazhdim dhjetëra mijëra të tjerë vdiqën si rezultat i rrezatimit.

Së bashku me disa të mbijetuar të tjerë ‘hibakusha’ nga distrikti i tij dhe mijëra delegatë nga e gjithë bota, zoti Kido mbërriti në Hiroshima më 6 gusht për të shënuar përvjetorin dhe përhapur mesazhin e paqes.

“Çdo njeri në botë tani rrezikon të bëhet hibakusha. Me pushtimin e Ukrainës nga Putini, ky rrezik është më i pranishëm se kurrë”, thotë zoti Kido.
Humbja në vitin 1945 bëri që Japonia të vinte kufizime për ushtrinë e saj. Në bazë të kushtetutës së pasluftës Japonia hoqi dorë nga lufta si një e drejtë kombëtare. Por ky qëndrim po ndryshon.
Thirrjet për çarmatim po përballen me realitetin e një Indo-Paqësori gjithnjë e më të tensionuar dhe të militarizuar. Gjatë muajve të fundit Koreja e Veriut ka lëshuar dhjetëra raketa në Detin e Japonisë. Po ashtu, veprimet ushtarake të Kinës rreth Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore shihen si një kërcënim i drejtpërdrejt për Japoninë.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Tetsuo Kotani të Institutit Japonez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

“Ka një hendek të madh midis Japonisë dhe Kinës për sa i përket aftësive mbrojtëse. Tokio e pranon se duhet ta tejkalojmë këtë hendek. Publiku i gjerë japonez e mbështet udhëheqjen politike, sepse jemi dëshmitarë të asaj që ndodhi me Ukrainën”.
Japonia synon që deri në vitin 2027 të dyfishojë shpenzimet e mbrojtjes dhe të fitojë aftësi goditëse kundër bazave të huaja, gjë që ka qënë e ndaluar për dekada me radhë. Gjithashtu po ndryshon edhe opinioni i publikut ndaj armëve bërthamore, thotë Tetsuo Kotani me Institutin Japonez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
“Publiku i gjerë japonez e pranon se ne duhet të mbështetemi tek ombrella bërthamore amerikane”.
Situata është shumë shqetësuese, thotë Sueichi Kido, i mbijetuarit nga bomba atomike në Nagasaki.
“Jam i shqetësuar. Është e rëndësishme të kuptohet se mosmarrëveshjet midis vendeve të botës nuk janë diçka që mund të zgjidhen me forcë”.
Japonia po shkon drejt një epoke të re, duke hedhur poshtë qëndrimin e pasluftës dhe ndërtuar një ushtri të fuqishme. Ndërsa shuhen të mbijetuarit e bombave atomike, shpresa e tyre është që mësimet nga Hiroshima dhe Nagasaki të mos harrohen./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA