Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar pas dënimit me gjashtë muaj burgim që Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi personit që e kërcënoi në dhjetor të vitit 2022.

Ajo tha se ky është një dënim shumë i ulët.

 “Sot Gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg personin që më kanosi në dhjetor të vitit të kaluar, pas një debati të ashpër që kisha me kryeministrin Kurti në seancë plenare. Ky person që më kanosi nga Zvicra, të premten në seancë tha se “nuk voton në Kosovë prej 20 vitesh” dhe pranimin e fajësisë e bëri krejt formalisht e në mënyrë të pasinqertë. Por, në një pikë ai ishte shumë i sinqertë. Deklaroi se “kishte rënë nën ndikimin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje”. Ky është një shembull konkret se gjuha me të cilën partia – shtet i ushqen militantët e saj, është gjuhë e urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit. Dhe si e tillë jo vetëm e papranueshme por edhe e dënueshme”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Musliu ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të kundërshtuar dënimin prej gjashtë muaj burgim të autorit.

“Konsideroj se dënimi ndaj personit që më kanosi, është shumë i ulët dhe do të konsultohem me avokatin tim për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta kundërshtuar me ankesë”, përfundoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA