78-vjetori i goditjes së Hiroshimës me bombë bërthamore, Japonia kërkon ndalimin e armëve bërthamore

06/08/2023 16:31

Qyteti japonez Hiroshima zhvilloi të dielën një ceremoni përkujtimore, për të shënuar 78 vjet që kur Shtetet e Bashkuara hodhën bombën bërthamore që shkatërroi qytetin në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarët japonezë kritikuan shtimin e mbështetjes për armët bërthamore si mjet parandalimi, duke shprehur shqetësim për përdorimin e tyre të mundshëm ndërkohë që vazhdon agresioni rus në Ukrainë.

“Ajo që duhet të bëjnë tani mbështetësit e armëve bërthamore si mjet parandalimi, është që të përballen me realitetin, ta pranojnë se nuk mund të marrin një përgjegjësi të tillë. Ata duhet të përdorin mençurinë dhe të veprojnë së bashku për të gjetur mënyra për eleminimin e armëve bërthamore, pavarësisht situatës së sigurisë”, tha guvernatori i Hiroshimës, Hidehiko Yuzaki.

“Udhëheqësit anembanë botës duhet të përballen me faktin se teoria e armëve bërthamore për parandalim konflikti ka dështuar”, tha kryebashkiaku i Hiroshimës, Kazumi Matsui.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, tha se vendi i tij do të bëjë çmos që armët bërthamore të mos përdoren më kurrë, raporton Zëri i Amerikës.

“Tmerret e shkaktuara nga bombat bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki nuk duhet të përsëriten kurrë. Japonia, i vetmi vend që ka përjetuar luftë bërthamore, do të vazhdojë të bëjë përpjekje të palodhshme për një botë pa armë bërthamore, duke iu përmbajtur Tre Parimeve Jobërthamore”, tha Fumio Kishida, Kryeministër i Japonisë.

Në vitin 1968 Japonia miratoi parimet për të mos zotëruar, prodhuar dhe lejuar futjen e armëve bërthamore.

Një ceremoni përkujtimore do të mbahet më 9 gusht në Nagasaki, ditën kur Shtetet e Bashkuara hodhën bombën e dytë atomike në territorin japonez.

Më 6 gusht të vitit 1945, bomba atomike e hedhur nga avioni luftarak amerikan B-29, Enola Gay, shkatërroi Hiroshimën dhe vrau rreth 140,000 njerëz nga 350,000 banorë që kishte qyteti në atë kohë.

Më 9 gusht, Shtetet e Bashkuara hodhën një tjetër bombë atomike në Nagasaki, duke vrarë më shumë se 75,000 njerëz. Japonia u dorëzua më 15 gusht. Mijëra njerëz vdiqën më vonë nga lëndimet dhe sëmundjet e lidhura me rrezatimin bërthamor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA