Fermerët në Kosovë mbollën dhe korrën arat me grurë, por shumica prej tyre ende nuk i morën subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë.

Fermerët e vendit kërkojnë nga Qeveria të subvencionohen para se të fillojnë punën, në mënyrë që të jenë më të përgatitur.

Fermeri nga fshati Zllatar në Komunën e Ferizaj, Shukri Sallahi, i cili ka pasur të mbjella rreth 100 hektar me grurë, kërkon nga shteti të subvencionohen para se të fillojnë të mbjellin farën.

 “Unë tash i kam pas shpenzimet e mëdha, naftë i harxhoj 400 litra në ditë, në çdo vend më duhen paret, shteti nuk i kupton këto…Inspektorët është dashur të shikojnë listën e fermerëve të Kosovës në përgjithësi…por as kontrollin nuk e kam pas për këtë vit, ende nuk janë ardhur…ndërsa vitin e kaluar subvencionet i kam marrë në tetor, kam qenë duke qëruar misrin e në atë kohë janë dalë”, thotë Sallahi.

Edhe fermeri që merret me kultivimin e patates, Bedri Kasumi thotë se Qeveria duhet patjetër t’i ndihmojë me subvencione para se të fillojnë punën.

“Duhet patjetër, sepse subvencionet jepen për ndihmë fermerit, qoftë për farë apo derivate, dhe kjo me vonesa sigurisht se shkakton dëme ose mungesë të parave tek fermeri, dhe kish me qenë më e qëlluar sikur të kishte ndodhë në kohen e mbjelljes”, thotë Kasumi.

Ndërsa, profersori i Bujqësisë, Imer Rusinovci derisa thotë se subvencionet duhet të jepen para se fermerët të fillojnë punën. Ai shton se shteti duhet të mendojë edhe për masa tjera stimulative për bujqit.

 “Duhet të ndryshohen kriteret, sepse çdo masë stimulative që duhet të zbatohet, ose zbatohet tek fermerët duhet të japë rezultate. Pra, të bëhet me fillim, por monitorimi, vetëdijesimi i fermerëve, puna në terren duhet të jetë kolosale dhe duhet të mbështetet në kritere të mirëfillta që t’i prolongojnë të gjitha mundësitë e keqpërdorimit, sepse të tillat nuk shpien në rezultat”.

Para tri javëve, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se kanë proceduar vetëm 2 milionë euro për pagesa nga Programi i Pagesave Direkte – Subvencioneve 2023.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA