Ndërsa vazhdojnë negociatat për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian, Komuniteti i Energjisë raporton se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor sa i përket sektorit energjetik është duke mos arritur afatet e vendosura.
Kështu pra nëse deri në fund të 2023-it duhej të ishin miratuar legjislacionet përkatëse për tu përshtatur me rregullat e BE, gjashtë vendet nuk kanë dorëzuar akoma draftet. Në 2025-ën tregjet europiane dhe ato të BP duhet të bashkohen për të avancuar në kapitujt energjitikë.
Edhe në fushën e energjisë së rinovueshme, Shqipëria ka përshtatur vetëm një pjesë të kërkesave në ligjin për burimet e rinovueshme, ndërsa vendet e tjera ende nuk kanë marrë hapa konkretë.
Ndërkohë, asnjë vend nuk ka implementuar dokumentin e arritjes së zero emetimeve të karbonit deri në 2050-ën, siç e ka BE.
Sa i përket ecurisë së vendeve në përpjekjet drejt tranzicionit të energjisë së rinovueshme asnjë nga vendet nuk ka shtuar ndonjë impiant të ri energjie që punon me qymyr apo lëndë të tjera djegëse të dëmshme për mjedisin. Instalimet e bazuara në energjinë diellore, të erës dhe biokarburanteve u rritën pesë herë në pesë vjet, me peshën prej 1% në 2017 duke arritur në 5% të totalit të kapaciteteve të instaluara në 2022.
Shqipëria në këtë aspekt finalizoi edhe ankandet e para eolike me një kapacitet prej 222.6 megavatësh. Gjithashtu vendi ynë në 2022-in renditet i treti në rajon për vetëkonsumin e energjisë, që përfshijnë biznese dhe individë me panele të instaluara.
Dy sfidat e ardhshme dhe të ngutshme sipas Komunitetit të Energjisë për rajonin momentalisht janë vënia në funksion e sistemit të origjinës së produkteve energjetike dhe prezantimi i një mekanizmi që takson kompanitë që emetojnë karbon në atmosferë. Shqipëria mban presidencën e komunitetit të energjisë gjatë këtij viti dhe ka rol kyç në dërgimin përpara të iniciativave.
Top Channel