Banka e Shqipërisë zyrtarizon ndërhyrjet në tregun valutor dhe vendosi të blejë më shumë euro në treg me synim zhvlerësimin e lekut dhe stabilizimin e monedhës europiane.
Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar të blinte 160-220 milionë euro nga tregu i brendshëm dhe me këtë vendim do t’i shtohet me 80 milionë euro kufiri.
Banka e Shqipërisë u detyrua të merrte masa, pasi në javët e fundit, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut po shfaq një luhatshmëri të fortë, duke alternuar rënie dhe rritje të forta në harkun e pak ditëve.
Dy ditë më parë guvernatori Gent Sejko tha se nëse vazhdojnë luhatjet e forta, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë.
Goditja nga forcimi i lekut në kursin valutor detyroi shoqatën e eksportuesve që t’i drejtohen me një letër institucioneve ndërkombëtare ekonomike që kanë selitë në vendin tonë.
Eksportuesit kërkojnë nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe BERZH-I asistencën e tyre teknike për të përballuar goditjet nga zhvlerësimi i euros si dhe ndihmën për vlerësimin e shkaqeve reale të zhvlerësimit të shpejtë të euros.
Eksportuesit kanë bërë thirrje edhe ndaj qeverisë për t’i kompensuar dhe për të ndryshuar regjimin e kursit të këmbimit. Ata u shprehën se janë në limitet e rezistencës ndërsa goditjet nga zhvlerësimi i euros janë në shifrën e 100 milionë eurove.
Top Channel