“Njerëzit gjykojnë veprat, jo fjalët”/ Balla takim me strukturat e Policisë në Berat: Ndërtimi i besimit te Policia e Shtetit detyrë emergjente

04/08/2023 14:30

Në takimin me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Beratit, Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se rritja e besimit të publikut te Policia është një detyrë emergjente e një proces aspak i lehtë, që kërkon kohën e vetë.

Në komunikimin me strukturat e Beratit, Ministri theksoi se çelësi i suksesit është krijimi i një fryme skuadre dhe ndershmëria në radhët e policisë.

“Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është një proces, i cili po hyn në një fazë të re”, tha ndër të tjera ministri.

Në lidhje me perceptimin e publikut ndaj punës së policisë, Balla nënvizoi se njerëzit gjykojnë veprat e jo fjalët, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve, të tregohen mbështetës të Policisë.

“Njerëzit nuk na gjykojnë nga ato që themi, por nga veprimet që bëjmë, shembulli që japim, modeli që krijojmë. Ndërtimi i besimit te Policia e Shtetit është detyrë emergjente, por edhe një proces jo i lehtë. Dua t’i bëj një thirrje çdo qytetari sot nga Berati: – kini besim!”

Sa i përket procesit të luftës ndaj fenomeneve të korrupsionit apo të paaftësisë profesionale, Ministri u shpreh se “që ditën e parë në këtë detyrë kam ardhur me vetëdijen se suksesi në punën time është i pamundur pa drejtuesit dhe punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit. Krijimi i një fryme skuadre në luftën për përmbushjen e objektivave të këtij sektori është baza e suksesit që synoj. Dita duket që në mëngjes. Ka filluar të duket qartë se vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është një proces, i cili po hyn në një fazë të re”, tha Balla.

Top Channel