Ndërhyrja e Bankës në tregun valutor/ Ekspertët: Forcimi i lekut nuk po përkthehet në uljen e varfërisë

04/08/2023 15:17

Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndërhyjë në kursin valutor nëpërmjet një prej mekanizmave të saj që është blerja e monedhës euro me qëllim rritjen e rezervës valutore.

Kështu, kufiri për blerjen e monedhës evropiane në tregun vendas ka arritur në 300 milionë euro. Banka po përpiqet të stabilizojë disi tregjet valutore, të cilat kanë pasur luhatje shumë të forta.

Luhatjet në kursin valutor kanë qenë mjaft të forta në javën e fundit. Në datën 28 korrik, euro mori një ngritje të fortë me gati katër pikë kundrejt lekut, për të arritur në nivelin më të lartë në pothuajse një muaj duke u këmbyer me 106 lekë. Por, më pas humbi menjëherë tre pikë bashkë me valutat e tjera.

Sipas ekspertëve, ndërhyrja do të stabilizojë tregjet.

“Së pari janë presionet nga eksportuesit që po e vuajnë më shumë situatën. Gjithashtu mendoj se thirrjet e fundit të Bankës Botërore që kanë treguar se forcimi i lekut nuk po përkthehet në uljen e varfërisë janë një tjetër faktor për këtë ndërhyrje”.

Forcimi i euros nuk do të ndodhë menjëherë sipas ekspertëve pavarësisht ndërhyrjes së bankës.

“Pritet që ditët në vijim të ketë një zhvlerësim të lehtë të lekut, por kur ndodhemi në kulmin e sezonit turistik dhe prurjeve nga emigrantët shqiptarë mendoj se është shumë e vështirë që kursi të rritet. Gjithashtu në lojë janë edhe spekulantët që me ndërhyrjet e tyre po bëjnë zhvendosje të forta të kursit valuator”.

Ndërkohë ,eksportuesit kanë vendosur t’i drejtohen institucioneve ndërkombëtare që kanë selitë e tyre në vendin tonë për të shpjeguar fenomenin e zhvlerësimit të euros. Sipas tyre nuk ka një vlerësim të drejtë të parasë informale që po pastrohet në Shqipëri nëpërmjet pasurive të paluajtshme dhe bizneseve kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA