Sot do të nisë zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri.

Vendimi ka ardhur pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

Sipas vlerësimit, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore është e mirë.

“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë”, është bërë e ditur në njoftim.

Po ashtu, është theksuar se ekipet e Policisë së Kosovës, bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka mirëpritur vendimin për zvogëlimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

Lajçak ka shkruar në Twitter se ky është një hap i rëndësishëm drejt qetësimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës.

“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it në Kosovë dhe KFOR-it siç është rënë dakord në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA