Ukraina pranon sulmet ndaj urës së Krimesë në korrik 

03/08/2023 23:02

Ushtria e Ukrainës nisi një sulm në urën ruse mbi ngushticën e Kerçit muajin e kaluar, ka konfirmuar Kievi.

Sulmi në rrugën e rëndësishme strategjike që lidh Rusinë me Krimenë bëri që Moska të kufizonte kalimin e anijeve dhe fluturimet mbi ngushticën.

Incidenti i 17 korrikut shënon herën e dytë që goditet struktura.

Rusia tha se dronët me bazë detare janë përdorur në sulmin, i cili la dy persona të vdekur.

Zyrtarët e Kievit morën përgjegjësinë për dëmtimin e urës të enjten, pas një periudhe paqartësie.

Ura është një rrugë jetike e ri-furnizimit për forcat ruse që pushtojnë pjesë të Ukrainës jugore. Është një nga mënyrat kryesore se si Moska përforcon trupat e saj në gadishullin e Krimesë – një territor ukrainas i aneksuar nga Rusia në 2014 – dhe në rajonin jugor të Khersonit.

Në korrik, Moska fajësoi Ukrainën për atë që e quajti një sulm “të pakuptimtë” dhe “mizor” dhe u zotua të hakmerret.

Por të enjten, një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë të Ukrainës u duk se u tall me idenë se rusët e kishin urën nën mbrojtje të madhe.

Duke e përshkruar urën si një nga shumë objektet ruse që konsiderohen të jenë “të paprekshme”, Oleksiy Danilov tha se Ukraina po e vendos atë pretendim “aty ku i takonte”.

Ukraina kishte treguar se ishte më shumë se e aftë për të depërtuar në mbrojtjen e Rusisë, tha zoti Danilov.

Fjalët e tij erdhën ndërsa Kievi u përpoq të përshpejtonte kundërsulmin e tij që synon të rimarrë territorin në Ukrainën jugore dhe lindore. Çdo sulm që detyron Rusinë të kufizojë trafikun që vjen përmes urës do të komplikojë më tej sfidat logjistike të Moskës.

Sulmi i korrikut është incidenti i dytë i madh në urën ruse mbi ngushticën e Kerçit në vitin e kaluar. Ajo u mbyll pjesërisht pas një shpërthimi të madh tetorin e kaluar, dhe më pas u rihap plotësisht në shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA