Një muze krejt i veçantë, një tunel 60 metra nga periudha e luftës së ftohtë është në funksion të vizitorëve pak metra mbi qafën e Pazarit në Gjirokastër.

Qindra objekte që datojnë që prej vitit 1700 dhe më herët janë radhitur brenda tunelit të planifikuar për strehim të popullsisë në rast sulmi nga ajri. Me në qendër historinë e komunizmit ky stacion i ri turistik në Gjirokastër sjell në memorie objekte të jetës së përditshme, të industrisë së socializmit, të jetës së limituar në veshje, mobilim dhe presionit të vazhdueshëm ideologjik.

Mini tuneli -muze që mund të vizitohet për 1 Euro po tërheq qindra vizitorë çdo ditë mes të cilëve edhe shumë emigrantë shqiptarë që ekspozimi i objekteve ju kujton aspekte të fëmijërisë apo jetës nën diktaturë.Shpesh Manushaqja zonja që e menaxhon muzeun demostron përdorimin e shumë objekteve të ekspozuara që nga furkat e tjerrjes së leshit, mokrat e bluarjes e deri tek përdorimi i armëve si pjesë e detyrimit ndaj ushtrisë sipas sloganit : “I gjithë populli ushtar”.

Manushaqe Zhuli prej 30 vjetësh koleksionon objekte të vjetra të traditës materiale dhe historike nga të gjitha territoret e vendit. Ajo tregon se ju është dashur shumë punë për të modeluar mjedisin dhe për ti dhënë identitet. Ka njerëz që shpenzojnë edhe orë brenda tunelit për të vëzhguar objektet e për të interpretuar përmbajtjen.

Pjesa e fundore e tunelit është kthyer në një mini kinema ku projektohen filma dokumentarë të kohës së diktaturës. Të huajt siç shpjegon Manushaqja shpenzojnë kohë në këtë kënd për tu njohur me imazhe që ishin absurde të çuditshme dhe të paimagjinueshme për botën perëndimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA