Kufizimi i orarit për automjetet që shpërndajnë mallra në Durrës, Dhoma e Tregtisë: Kosto e lartë për bizneset

03/08/2023 18:41

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës ka kundërshtuar fashën orare që kufizon qarkullimin e mjeteve që bëjnë shpërndarjen e mallrave në qytetin bregdetar të Durrësit. 

Që nga 1 gushti dhe deri më 15 shtator, një vendim i Bashkisë së Durrësit kufizon kohën e lëvizjes së mjeteve që furnizojnë me mallra bizneset e shumta në qytet dhe plazh. Ky vendim u mor për të lehtësuar  qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, banorë dhe turistë, përgjatë një sezoni të ngarkuar turistik dhe është mirëpritur nga qytetarët, po jo nga bizneset të cilat janë gjetur të papërgatitura.

Nga ora 08:00 – 23:00 furgonat dhe mjetet e tjera të shpërndarjes së mallit nuk do të lejohen të lëvizin në unazën e brendshme të qytetit dhe përgjatë rrugës së plazhit. Vetëm dy ditë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi vjen reagimi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës. Drejtuesi i saj Artan Luku deklaroi ditën e enjte se ky vendim nuk u është komunikuar në kohë bizneseve, ndërsa koha e lejuar për mjetet që bëjnë shpërndarjen e mallrave është krejtësisht e papërshtatshme dhe krijon probleme e kosto të larta për bizneset. Mungesa e pikave të shkarkimit dhe personelit që të punojnë në orët e vona të natës dhe deri në mëngjes herët e bëjnë thuajse të pamundur zbatimin e këtij vendimi që do të shkaktojë ndikim negativ zinxhir te bizneset për të mbërritur deri te konsumatori.

Dhoma e tregtisë dhe industrisë në Durrës kërkon që ky vendim të rishihet dhe të ngushtohet kohëzgjatja e kufizimit të lëvizjes së mjeteve që bëjnë furnizim.

Edhe në terren policia bashkiake po has në kundërshti për zbatimin e këtij vendimi që paralajmërohet se do të fusë në kolaps shumë biznese duke cenuar dhe cilësinë e shërbimit dhe mallrave që mbërrijnë te konsumatorët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA