Sërish humbje për Milanin në turneun amerikan, ndërkohë që Barcelona siguron një tjetër fitore pas asaj në El Clasicon përballë Real Madrid.
Kampionët e Spanjës iu falën eurogolit të Ansu Fati për të thyer 1-0 kuqezinjtë e Stefano Piolit në Nevada.
20-vjeçari u fut në fushë në pjesën e dytë dhe në minutën e 55’ realizoi golin që vendosi sfidën. Një gol fantastik!
Jules Kounde u ndal nga shtylla në pjesën e parë, teksa uruguaiani Ronald Araujo gjeti golin e dytë për Barçën. Por u anulua sepse mbrojtësi ishte në pozicion të parregullt.
Milani luftoi fort, por bëri pak, teksa rrezikoi vetëm në disa raste me Rafael Leaon. Dhe nuk ia doli të evitonte humbjen e radhës pas atyre me Real Madrid dhe Juventusin (penallti).
Skuadra italiane luan miqësoren e radhës kundër Monzës (8 gusht). Në të njëjtën datë zbresin në fushë edhe djemtë e Xavit. Që do të sfidojnë anglezët e Tottenhamit./ Super Sport
Top Channel