Papa Françesku i bëri thirrje Evropës që të veprojë si “urë dhe paqebërëse” që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Ai këto komente i bëri më 2 gusht, në nisje të vizitës pesëditore në Portugali.
Papa, 86 vjeç, u mirëprit me nderime ushtarake në Lisbonë, ku 1 milion pelegrinë nga e mbarë bota pritet të marrin pjesë në ngjarjet për të shënuar Ditën Botërore të Rinisë.
Kjo ngjarje fetare – që shënohet për një javë përmes ngjarjeve fetare e kulturore mbahet çdo tre vjet në qytete të ndryshme – vjen në kohën kur Kisha Katolike po reflekton për të ardhmen e saj dhe po vazhdon të përballet me priftërinj të përfshirë në skandale të pedofilisë.
Gjatë fjalimit të parë në Portugali, Papa tha se Evropa duhet ta pyes veten se ku po shkon nëse “nuk i tregon botës rrugët deri tek arritja e paqes dhe mënyra kreative për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”.
“Bota ka nevojë për Evropën e vërtetë. Ka nevojë që Evropa të luajë rolin e një ure dhe të paqebërëses”, shtoi ai gjatë fjalimit të mbajtur para zyrtarëve dhe diplomatëve në Lisbonë.
Papa Françesku kohëve të fundit ka pasur probleme shëndetësore dhe tani ai po përdor karrocë dhe shkop për ecje.
Para dy muajsh ai iu nënshtrua një operacioni abdominal. Megjithatë, gjatë qëndrimit në Portugali ai do të mbajë 11 fjalime dhe do të zhvillojë rreth 20 takime.
Ndryshe, Dita Botërore e Rinisë është krijuar më 1986 nga Papa Xhon Pali II dhe është tubimi më i madh në botë i katolikëve, që shënohet përmes ngjarjeve të ndryshme, përfshirë koncerte dhe sesione të lutjeve.
Ngjarja që po mbahet sivjet ishte paraparë të mbahej një vit më parë, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit./ REL
Top Channel