Një ndërtesë e lartë biznesi në kryeqytetin e Rusisë është goditur sërish nga një sulm me dron.
Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin deklaroi se disa dronë u rrëzuan gjatë natës, por njëri prej tyre ra në ndërtesë, duke dëmtuar fasadën. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, në sulmin e pestë me dron.
Aeroporti ndërkombëtar Vnukovo në Moskë u mbyll përkohësisht pas sulmit. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka akuzuar Ukrainën për sulmin, por nuk ka ende një reagim nga Kievi.
Sulmi paraprak ndodhi të dielën, ku tre dronë u hodhën drejt Moskës, duke lënë të plagosur një roje sigurie.
Moska e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën se ka kryer sulme me dronë në territorin e saj në muajt e fundit, përfshirë një në Kremlin vendbanimin e presidentit Vladimir Putin.
Megjithëse zyrtarët ukrainas nuk kanë marrë përgjegjësi për sulme specifike, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se është e pashmangshme se lufta në Rusi do të ndodhë.
Top Channel