Pamje/ Grabitje me armë në mes të ditës në Paris! Merren bizhuteri me vlerë 15 mln euro

01/08/2023 19:01

Tre grabitës kanë hyrë në argjendarinë e njohur “Piaget” në Paris dhe kanë marrë nën kërcënimin e armës bizhuteri me vlerë 15 milionë euro.

Grabitja, në lagjen e dytë të Parisit, ndodhi pasditen e sotme teksa klientët ndodheshin brenda argjendarisë.

Madje, autorët nuk kanë hezituar të kërcënojnë punonjësit për të vjedhur bizhuteritë me vlerë.

Të gjithë u shtrinë përtokë dhe grabitësit më pas detyruan një punonjës të stafit të hapte vitrinat dhe një bagazh ku mbahen disa nga bizhuteritë më të shtrenjta. Pasi u morën bizhuteritë, grabitësit u larguan në këmbë , tha një burim i cituar nga Daily Mail.

Sipas informacioneve, nuk ka të lënduar, ndërsa vlera e sendeve të vjedhura llogaritet nga 10 deri në 15 milionë euro.

Prokuroria e Parisit po heton për “grabitje nga një bandë e armatosur”.

 

Top Channel