Me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje në bashkëpunim, SPAK dorëzoi të pandehur në gjykatën antikorrupsion kryebashkiakun e Himarës Dhionisis Fredi Beleri.

E ndërsa pritet që gjyqtari paraprak të vendosë nëse çështja për korrupsion zgjedhor do kalojë për gjykim, apo do t’i kthehet pas SPAK për veprime të mëtejshme, lajmi ka marrë dhenë në Greqi.

Burimet diplomatike greke bëjnë me dije se vendimi i SPAK po e çon drejt shkarkimit kryebashkiakun  e Himarës, duke shkelur të drejtën për një gjykim të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë që Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të respektojë rreptësisht.

Në të njëjtën kohë, autoritetet shqiptare thonë të njëjtat burime, vazhdojnë t’i heqin z. Beleris të drejtën politike për të bërë betimin dhe për të ushtruar detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Himarës.

Të gjitha këto çështje i ka shtruar, ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, në një bisedë telefonike me homologen e tij shqiptare Olta Xhaça.

Burime pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme e Shqipërisë i thanë Top Channel, se gjatë bisedës mes dy homologëve u prek edhe çështja “Beleri”, për të cilën Ministrja Xhaçka rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare se për këtë çështje duhet të flasin organet e drejtësisë.

Ndërkohë Ministria e Jashtme Greke thotë se po monitoron nga afër zhvillimin e çështjes dhe vijon të informojë partnerët ndërkombëtarë dhe evropianë të Greqisë.

Top Channel