Thuram: Tifozët e Milanit do të më vërshëllejnë? S’më plas fare!

31/07/2023 11:56

Marcus Thuram po e pret me besim të madh dhe entuziazëm nisjen e aventurës italiane me Interin. Zikaltrit e siguruan me parametra zero sulmuesin e kombëtares së Francës, duke ia “rrëmbyer” Milanit në momentet e fundit.

25-vjeçari ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me nënkampionët e Europës. Teksa ka zbuluar edhe objektivat e tij në prononcimin për GDS. Nuk mungon një koment për tifozët e Milanit.

13 gola shënoi në Bundesliga gjatë sezonit të fundit me M’Gladbach, që është edhe rekordi personal i tij. “Unë punoj për të shënuar më shumë se 13 gola, dua ta kaloj këtë shifër me Interin.

E imagjinoja veten me fanellën zikaltër mbi supe që dy vite më parë, por u dëmtova. Drejtuesit e Interit më qëndruan pranë, më ngushëlluan pas dëmtimit. Është diçka që nuk e kam harruar…

Kështu që e kisha të natyrshme të zgjidhja Interin. Sigurisht që tifozët e Milanit janë të zemëruar me mua, por nuk ka fare rëndësi. Secili bën zgjedhjet e veta.

Nuk jam i shqetësuar për ngacmimet dhe vërshëllimat që do të marr prej tyre. Bëhet fjalë për derbi, kështu që e njëjta gjë do të më ndodhte edhe nëse do të zgjidhja Milanin në vend të Interit.”

Idhulli im? “Adriano, më i kompletuari nga të gjithë. Ai dinte të bënte çdo gjë, e kam ndjekur gjithmonë si futbollist”, theksoi Marcus Thuram, qendërsulmuesi i ri i Interit./ Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA