Chelsea i trajnerit Mauricio Pochetino dhuroi sinjale pozitive në vigjilje të sezonit të ri teksa në kompeticionin Premier League Summer Series të zhvilluar në Amerikë, ia doli të ngrinte lart trofeun duke lënë pas kundërshtarë si Aston Villa, Brighton, Newcastle, Fulham apo Brentford.
Edhe pse një turne modest dhe me qëllimin për t’i dhënë minuta lojtarëve para se të nisë sezoni i gjatë dhe i lodhshëm, te “Blutë e Londrës” janë të kënaqur me rendimentin e lojtarëve, sidomos të atyre që iu bashkuan skuadrës këtë verë si Nicolas Jackson apo Christopher Nkunku që menjëherë gjetën mënyrën për t’u bërë protagonistë.
Megjithatë, merkato e verës mund të dhurojë sërish surpriza për anglezët duke qenë se në ceremoninë e Premier League Summer Series, Enzo Fernandez shprehet në lidhje me Kylian Mbappe. Në momentin që Thiago Silva dhe Reece James ngritën lart trofeun, mesfushori argjentinas u shpreh se skuadra ka nisur të fitojë edhe pse ende nuk ka mbërritur Mbappe.
E ardhmja e francezit është shndërruar në një telenovelë të vërtetë duke qenë se te Real Madrid nuk kanë ndërmend të paguajnë mbi 200 milionë për shërbimet e tij, ndërsa nga ana tjetër, Paris Saint-Germain e ka nxjerrë në shitje për të mos e humbur me parametër zero.
Kujtojmë se në Premier League, emri i Mbappe është lakuar edhe te Liverpool, megjithatë deri në fund mund të ketë surpriza dhe Enzo Fernandez lë shumë për të dyshuar në momentin e trofeut të Premier League Summer Series./Supersport
Top Channel