Futbollistet kanë një qëndrim shumë më normal ndaj homoseksualizmit. Pse është ndryshe për meshkujt? Një vështrim në Kampionatin Botëror të femrave nga Joti Chatzialexiou
Gizlane Çebak bëri një grimasë të çuditshme në fytyrë, pastaj tundi kokën, duke buzëqeshur me mosbesim. Në fillim të këtij Kampionati Botëror në futboll për femra në Australi dhe Zelandën e Re, lojtarja e kombëtares marokane u pyet në një konferencë për shtyp nëse kishte ndonjë homoseksuale në kombëtaren e saj – BBC britanike kërkoi falje për pyetjen “e papërshtatshme” disa ditë më vonë.
“Është e natyrshme që gratë të duan gratë”
Duke pasur parasysh ndjekjen e mundshme për “marrëdhëniet e të njëjtit seks” në Marok, çështja kishte një sfond politik. Ashtu si debati mbi moslejimin e ekipit kombëtar të femrave të Gjermanisë të mbante shiritin e kapitenit me ngjyrat e ylberit. Por rruga drejt normalitetit ka qenë e gjatë. Megjithatë më e shkurtër për femrat sesa për meshkujt.
“Për ne në Bundesligë dhe në kombëtare është krejtësisht e natyrshme që femrat të duan femrat. Për meshkujt është krejtësisht ndryshe, ndoshta edhe për faktin se vëmendja është shumë më e madhe”, thotë Lea Schiller. 25-vjeçarja e cila flet hapur për marrëdhënien e saj me austriaken Lara Wadlau. Ashtu si disa nga koleget e saj nga ekipi, edhe Schiller publikon fotografi të përbashkëta me të dashurën e saj në rrjetet sociale. Të tjerët jo, pavarësisht nëse është një partner i jetës apo një shoqërues.
Në futbollin profesionist gjerman, nga ana tjetër, asnjë lojtar aktiv nuk e ka shpallur ende publikisht homoseksualitetin e tij. Edhe në nivel ndërkombëtar, shifra është shumë simbolike. “Unë do të doja që çdo futbollist homoseksual të mund ta thotë publikisht dhe të pranohet nga të gjithë”, tha Lena Oberdorf për gazetën angleze “Guardian”. Shoqëria “e bën vërtet të vështirë për burrat, por mua vërtet nuk më intereson nëse ju lyeni flokët jeshile apo të kuqe. Është jeta jote.”
“Duam më shumë normalitet”
E dashura e saj thotë: “unë postoj ndonjëherë në rrjetet e mia sociale, kështu që njerëzit mund të mendojnë çfarë të duan”. Shoqja e skuadrës Svenja Huth tha për revistën “Elfen” se ishte “shumë e rëndësishme” që ajo të përfshihej në këtë temë, “sepse unë dua më shumë normalitet”.
Zëvendëskapitenja e kombëtares gjermane dhe gruaja e saj flasin gjërësisht për fekondimin artificial në një dokumentar televiziv – pas Kupës së Botës duhet të vijë fëmija i parë. “Dua të inkurajoj edhe njerëzit që mund të mos e kenë aq të lehtë në mjedisin e tyre”.
Nën fotot e saj të dasmës janë postuar edhe komente homofobike, “të cilat fatmirësisht nuk më shqetësojë as mua dhe as gruan time”, tha Huth. Megjithatë, kjo e trishton dhe e bën të qartë se ka ende shumë për t’u bërë në aspektin e tolerancës, respektit dhe vlerësimit. Kjo është edhe më e vështirë për vendet e tjera pjesëmarrëse në Kupën e Botës.
Homoseksualiteti tabu, krim i rëndë…
Në Haiti, për shembull, homoseksualiteti është një temë tabu. Në Nigeri, sipas Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (IGFM), homoseksualiteti është ende i ndaluar, ndërsa në disa vende konsiderohet edhe si një krim i rëndë.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme që yjet ndërkombëtare si Megan Rapinoe të angazhohen në këtë fushë. Dy herë kampionia e botës nga SHBA-ja dhe partnerja e saj Sue Bird ishin çifti i parë homoseksual që modeloi për revistën ESPN – dhe prej kohësh janë parë si modele të LGBTQI+ në futboll.
“Kjo nuk është ndonjë çështje tepër e madhe në futbollin e femrave. Disa femra jetojnë me partnere, të tjerat janë të martuara me meshkuj”, thotë kapitenja e Anglisë, Jill Scott. Për meshkujt, nga ana tjetër, “nuk ka një mjedis të sigurt dhe kjo është shumë e trishtueshme”. Arsyet për këtë gjendje janë komplekse dhe shkojnë përtej futbollit edhe në Gjermani.
“Burrat nuk janë mjaftueshëm të hapur”
Kreu i ekipeve kombëtare të Federatës Gjermane të Futbollit, Joti Chatzialexiou, thotë se tek meshkujt nuk janë shumë të hapur të flasin për këtë. Ai personalisht mendon se është turp, sepse në fund të fundit, bëhet fjalë për vlerësimin sportiv të ndonjë lojtari dhe jo për atë që dikush bën në jetën private, sepse në jetën private “mund të bëjë çfarë të dojë”.
Kombëtarja gjermane në Kupën e Botës qëndron për “diversitet, sepse ne jemi shumëngjyrësh. E dimë që në futboll ka dhe tema të homoseksualizmit”, thotë Joti Chatzialexiou dhe konstaton: “Edhe për mua personalisht, është me rëndësi të jem shumë i hapur dhe transparent për këtë çështje”./ DW
Top Channel