Shkarkimi i të gjithë sekretariatit të partisë nga krye-socialisti Edi Rama gjatë asamblesë, shihet në PS si nisja e një kapitulli të ri, përgatitor për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

I vetmi i emëruar ishte Blendi Klosi, në postin e sekretarit të përgjithshëm për ta çuar PS drejt kongresit të jashtëzakonshëm në Shtator. Damian Gjiknuri tek sa ia kaloi stafetën Blendi Klosit, nuk e shikon shkarkimin e tij si lëshim nga kryetari Rama.

“Për mua fundi diçka je është fillimi diçka je të re. Jeta më ka mësuar që të jem gjithmonë përballë të ashtuquajturave të papritura që duhen parë jo vetëm në kontekstin e kohës por vendimmarrja duhet parë në efektet që sjellin në terma disi më afatgjata. Unë jam mësuar me akuza. Ju e dini që nuk është hera e parë që jam akuzuar. Fatkeqësisht mbase edhe për shkak të personalitetit të fortë. Asnjëherë në terma absolut për veten tonë përballë jetës politike në opozitë e në pushtet për pozicionet që kam pasur, pozicione kyçe”, tha Gjiknuri.

Tashmë, deri në shtator si numri dy i PS-së, Bledi Klosi shpjegoi se ku do të jetë fokusi punës deri në kongresin e Shtatorit.

“Nga 9 gara janë fituar 8 dhe çdo garë e fituar më thellë se ajo paraardhëse padyshim është një përgjegjësi e madhe të jesh sekretar i përgjithshëm i PS për ta çuar në një betejë të re elektorale. Së bashku do ta çojmë në një garë të fortë fitoren e 2025 ku PS kërkon jo vetëm të shkojë për te fituar zgjedhjet e marrë mandatin e saj të katërt por njëkohësisht me fitoren e këtyre zgjedhjeve të kemi një parti të re”, tha Klosi.

Ndërsa socialistët kanë nisur përgatitjet për fitoren e një mandati të katërt qeverisës, kontrasti sa vjen e thellohet me kampin opozitar tashmë i ndarë në tre pjesë.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve në PD, socialistët nuk kanë ndërmend të flenë mbi dafina e të shkojnë drejt zgjedhjeve të 2025 me siguri absolute drejt fitores. Punën tashmë e kanë nisur.

Top Channel