Peruanët kanë rinisur sot marshimet në kryeqytetin Lima duke bërë thirrje për dorëheqjen e presidentes Dina Boluarte, e cila pritet të japë raportin e saj në Kongres për dhunën e policisë dhe jetët e humbura.
Në protestat anti-qeveritare pas largimit dhe burgosjes së ish-liderit Pedro Castillo, të paktën 50 njerëz humbën jetën.
Çështja e hapur prej janarit ka të bëjë me “vdekje të qytetarëve gjatë mobilizimit shoqëror” në fillim të vitit, dhe me përcaktimin e përgjegjësisë së Boluarte në shtypjen e tyre.
Por presidentja nuk mund të dalë në gjyq për akuzat deri në vitin 2026 pas përfundimit të mandatit, prej imunitetit kushtetues.
Në protesta 54 njerëz humbën jetën, duke përfshirë dhe gjashtë ushtarë që u mbytën në një lumë teksa largoheshin prej fshatarëve që i sulmuan me gurë në Puno.
Denoncimi nga grupi i Të Drejtave Njerëzore Inter-Amerikane, theksonte se “agjentë shtetërorë kishin përgjegjësi për vdekje të shumta gjatë shtypjes së protestuesve”.
Aty shtohej se viktimat ishin plagosur nga “armë zjarri, armë me ajër apo plumba plastikë në pjesën e sipërme të trupit”.
Boluarte zëvendësoi Castillo, i cili u shkarkua dhe më pas u arrestua me akuza “rebelimi dhe tentativë grusht shteti”, te cilat ai nuk i pranon.
Top Channel