PD nesër në zgjedhje! Pampuri kundër Bardhit: Deputetët s’janë tabelë qitje për të shfryrë mllefet dhe mbrojtur interesat personale

28/07/2023 17:45

Partia Demokratike zhvillon nesër zgjedhjet për Kryetar.

Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD-së, Orjola Pampuri ka “rrëzuar” vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi për anulimin e këtij procesi, duke theksuar se deklarata në emër të grupit parlamentar, pa dijeninë anëtarëve, nuk gëzojnë vërtetësi.

Sipas Pampurit, qëndrimet individuale nuk mund t’i atribuohen grupit parlamentar, dhe deputetët, si njerëz me dinjitet që janë, në asnjë moment nuk mund të shndërrohen në tabele qitje për të shfryrë mllefet e askujt apo për të mbrojtur interesat personalë të dikujt.

Si Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të theksoj se;

Deklarata në emër të grupit parlamentar, pa dijeninë anëtarëve të grupit nuk gëzojnë vërtetësi.

Nxitimin për të ndërmarrë hapa antistatutorë nuk ndihmon askënd, dhe nuk e legjitimon asnjë vendim. Kjo duhet të marrë fund. Individualisht deputetë të grupit mund të shprehin mendime e qëndrime, por të flitet në emër të grupit, pa pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve është e tepërt.

Nesër, Partia Demokratike ka zgjedhje dhe ky është një vendim i miratuar nga kryesia dhe këshilli kombëtar, mendimet dhe qëndrimet kundër mbajnë emër dhe mbiemër të çdo deputeti, por mllefet kolektive, nuk mund t’i atribuohen grupit parlamentar.

Partia Demokratike është e demokratëve, deputetët janë njerëz me dinjitet e integritet, dhe në asnjë moment nuk mund të shndërrohen në tabele qitje për të shfryrë mllefet e frustrimet e brendshme të askujt, apo për të mbrojtur interesat personalë të dikujt”- tha Pampuri.

Top Channel