Netanyahu mbron reformat, lideri ushtarak paralajmëron për rreziqe sigurie

28/07/2023 09:54

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se demokracia e vendit nuk do të dëmtohet nga vendimi i parlamentit për t’i kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar vendimet e qeverisë.

Planet për reformë në gjyqësor, që po ndiqen nga Netanyahu dhe qeveria e tij e krahut të djathtë, kanë nxitur protesta të paprecedenta që disa muaj dhe kanë shkaktuar një ndarje të thellë në shoqërinë izraelite, duke vënë në mëdyshje besnikërinë e disa rezervistëve të ushtrisë.

Kriza që nisi para shtatë muajsh u përshkallëzua më 24 korrik, kur parlamenti miratoi ndryshimin e parë, duke kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar veprimet e qeverisë dhe duke rritur frikën se mund të rrezikohet pavarësia e gjykatës.

Pas këtij përshkallëzimi, Netanyahu dha disa intervista për mediat amerikane në orët e vona të 27 korrikut.

Duke folur për ABC News, Netanyahu tha se ndryshimi i një prej ligjeve bazë të Izraelit ishte “një korrigjim i vogël” për një gjykatë “aktiviste”.

“Përshkruhet si fundi i demokracisë izraelite… Mendoj se është marrëzi dhe kur pluhuri të ulet, të gjithë do ta shohin”, tha ai.

Ndërsa Netanyahu minimizoi pasojat e planeve të tij, shefi i forcave ajrore, Tomer Bar, paralajmëroi se kriza mund të shfrytëzohej nga armiqtë e Izraelit.

“Është e mundur që në një kohë si kjo ata do të përpiqen të testojnë kufijtë tanë, kohezionin tonë dhe vigjilencën tonë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe të përgatitur, siç jam i sigurt se do të jemi”, tha Bar, sipas një deklarate të lëshuar të premten.

Në CNN, Netanyahu refuzoi të thoshte nëse ai do t’i bindej një vendimi të mundshëm të Gjykatës së Lartë që anulon amendamentin e 24 korrikut./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA