Kryeministri Edi Rama e vijoi traditën 10-vjeçare të takimeve dy ditore informale me kabinetin përpara nisjes së pushimeve të verës.

Zgjodhi si vend-mbledhje të qeverisë, Tepelenën e Tërmet Permecit, ku në zgjedhjet e 14 Majit, PS arriti rezultatin më të thellë në rang vendi, e siç e tha vetë Rama “rezultat tejet publicitar”.

Kreu qeverisë thotë se kjo mbledhje dy ditore do të shërbejë për “reflektime dhe qarkullim mendimesh e idesh në prag të një sezoni të ri reformimesh dhe vetë-reformimi”.

Formati këtij takimit shërben për t’i bërë një bilanc çfarë ka arritur secila ministri, çfarë projektesh janë duke u realizuar dhe çfarë nuk ka shkuar mirë. Në komentin e kryeministrit për këtë takim, ai flet për vetë reformim, që mund të jetë sinjali për ç’ka do të ndodhë në shtator.

Më e rëndësishmja pjesë e takimit, janë planet për secilën ministri për gjashtë muajt e ardhshëm. Kjo e lidhur edhe me programin politik që PS synon të arrijë, deri në fund të këtij mandati të tretë qeverisës.

Nga fotot e publikuara nga kryeministri Edi Rama, tregohet se nuk janë vetëm ministrat, të cilët duhet të raportojnë e shprehin ide. Bashkë me ta janë edhe kabinetet ministrore, zëvendës ministrat përfshirë drejtorët më të rëndësishëm të tyre.

Freskia e ujërave të ftohtë të Tepelenës mund t’i shërbejë disa ministrave edhe për të qetësuar temperaturat e rritura brenda qeverisë, të dala në pah gjatë mbledhjes së qeverisë, pak orë përpara nisjes së asamblesë të PS.

Ky takim i Tepelenës do ti shërbejë Edi Ramës edhe për matjen e performacës së detajuar të çdo ministrie, krahas evidentimit të pakënaqësive konstante të Edi Ramës edhe kur partia e tij bashkë me qeverinë mund të jenë në ditën e tyre më të mirë.

Në kushtet kur Edi Rama është i vetëdijshëm për pikat e forta e të dobëta të performancës së çdo ministrie, takimi Tepelenës do ti shërbejë për të kristalizuar lëvizjet e mundshme gjatë shtatorit,  paralajmëruar prej tij nga Tepelena kur foli për një sezon qeverisës reformues.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA