Luis Enrique “ndez” aksin Paris-Barcelonë, trajneri kërkon talentin e katalanasve

28/07/2023 22:43

Pavarësisht “telenovelës” Mbappe, Paris Saint-Germain po punon për sezonin e ri, ndërsa parizienët kanë kthyer fokusin nga Barcelona.

Luis Enrique, trajneri i ri  kampionëve të Francës ka një ide të çmendur dhe bëhet fjalë për mesfushorin Pedri.

Natyrisht, me prezantimin e Enrique-s në stolin e PSG-së pritej që trajneri të shikonte drejt tregut spanjoll, por ideja e tij duket se ka kaluar çdo parashikim.

Sipas raportimeve nga mediet pariziene, trajneri u ka bërë me dije drejtuesve të PSG-së dëshirën e tij për të transferuar në Paris 20-vjeçarin, i cili ka një kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2026 dhe ka një klauzolë largimi prej 110 milionë eurosh.

Luis Enrique ishte njeriu që i besoi Pedrit te përfaqësuesja spanjolle dhe lojtari ka një simpati të theksuar për 53-vjeçarin, një marrëdhënie e cila mund të ndikojë në këtë lëvizje.

Por, klubi katalanas mbetet problemi kryesor në këtë operacion, me Barcelonën që deri më tani nuk e konsideron lojtarin në merkato, por me problemet financiare që ka klubi, drejtuesit mund të tundohen përpara ofertës së PSG dhe të hiqnin dorë nga “ylli” mesfushës.

Pedri ka debutuar me Barcelonën më 27 shtator të vitit 2020 dhe deri më tani numëron 109 ndeshje dhe 16 gola në të gjitha kompeticionet, ndërsa ai ka luajtur edhe 18 ndeshje me përfaqësuesen spanjolle.

Një lëvizje që ka kthyer në vëmendje aksin Paris-Barcelonë që duket përsëri gati për të prodhuar surpriza në merkato./Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA