Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Komisionin Vlerësues të Lojërave Mesdhetare 2030, të kryesuar nga presidenti Julian Pace Bonello, dhe Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis.
Pasi që iu uroi mirëseardhje, Kurti theksoi se sporti dhe aktiviteti fizik janë shumë të rëndësishme për Qeverinë, Kosovën dhe popullin tonë, raporton KosovaPress.
“Vetë ideja dhe mundësia e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 është një rast i rëndësishëm për ne, duke pasur parasysh ndikimin pozitiv që do të kishte në shoqërinë tonë dhe zhvillimin e vendit”, u shpreh kryeministri Kurti para anëtarëve të komisionit vlerësues, teksa shtoi se Lojërat Mesdhetare 2030 paraqesin platformën ideale për të krijuar mundësi për zhvillimin e të rinjve tanë dhe që ata të angazhohen në sport dhe aktivitete fizike.
Më tej, Kurti tha se organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, në edicionin e 21-të të kësaj ngjarje multi-sportive do të shënojë moment historik në nivel rajonal, marrë parasysh që herën e fundit kur këto lojëra janë mbajtur në Ballkan ka qenë para gati gjysmë dekade, në Split të Kroacisë, në vitin 1979.
Ndërkaq, presidenti Julian Pace Bonello u shpreh se janë të impresionuar me aplikacionin e dorëzuar nga Kosova. Duke shtuar se kandidatura e Kosovës është shumë serioze.
Kosova është bërë vendi më i vogël që ndonjëherë ka shpallur kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), po qëndron në Kosovë për të shqyrtuar dosjen e kandidaturës. Raporti përmbledhës i komisionit do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së, që mbahet më 8 shtator 2023 në Heraklion të Greqisë.
Top Channel