Brighton vazhdon t’i rezistojë sulmeve të Chelsea në lidhje me Moises Caicedon. Mesfushori me tipare difensive është prej kohësh në radarin e “Bluve të Londrës”.
Oferta e fundit e klubit londinez për kartonin e 21-vjeçarit nga Ekuadori, është 93 milionë euro. Por, drejtuesit e Brightonit nuk janë menduar dy herë dhe e kanë refuzuar.
Caicedo kushton 116 milionë euro sipas tyre, po aq sa Declan Rice, i cili u transferua nga West Hami tek Arsenali për këtë shumë.
Chelsea duhet të shtojë milionat në propozimin e radhës, pasi te Brightoni as që kanë ndërmend të lëvizin nga pretendimi i tyre.
“Luftëtari” latin është një prej lojtarëve më të mirë të skuadrës së Roberto De Zerbit. Nëse do të transferohet te Chelsea, ai do të kthehej në shitjen më të shtrenjtë të historisë së Brightonit.
Pavarësisht moshës së re, Caicedo numëron 32 ndeshje me kombëtaren e Ekuadorit. Takime gjatë së cilave ka shënuar dy gola.
Në lidhje me “yllin” e mesfushës, Roberto De Zerbi, trajneri i Brightonit, u shpreh: “Caicedo qëndron me ne derisa pronari im të ndryshojë mendje.
Nuk ia kam idenë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Por, nëse Caicedo largohet do të na duhet të gjejmë zëvendësuesin e tij.
Natyrisht që duhet ta zëvendësojmë me një futbollist të madh, sepse ne luajmë në Europa League sivjet. Ndryshe nga Chelsea… “.
Top Channel