Burri gjurmon makinën e tij të vjedhur, gjen vjedhësin dhe e ekzekuton në qendrën tregtare në Texas (fotot)

28/07/2023 17:50

Një parkim në Texas, SHBA u kthye dje në një fushëbetejë armësh kur një burrë gjurmoi të dhënat e automjeti të tij të vjedhur, dhe e gjeti atë në një qendër tregtare ku qëlloi për vdekje grabitësin e supozuar pasi ky i fundit kishte nxjerrë pistoletën dhe qëlloi ndaj pronarit të makinës.

Burri dhe pasagjeri që ishte me të dolën nga qendra tregtare South Park Mall në qytezën San Antonio kur panë që kamionçina e tyre Ford nuk ishte aty.

Dyshja gjurmuan automjetin me anë të rrjetit celular dhe e gjetën atë në një parking aty pranë, ku një burre dhe një grua ishin të ulur në kabinë.

“Pronarët e gjurmuan automjetin e tyre që ishte në këtë parkingun këtu. Ata gjetën mjetin e tyre ku një burrë e një grua ishin të ulur brenda”, tha kreu i policisë së San Antonio në njoftimin për mediat.

Pronari i makinës që nuk është emëruar publikisht, kishte mbajtur nën kërcënimin e armës të dyshuarit dhe kishte urdhëruar shoferin të zbriste e të qëndronte në vend, derisa të vinte policia.

Por grabitësi kishte nxjerrë pistoletën dhe qëlloi ndaj pronarit të automjetit, i cili ktheu zjarrin duke qëlluar ndaj të dy të dyshuarve.

“Në një moment, personi që vodhi automjetin e që po mbahej nën kërcënimin e armës nga i zoti, nxorri një armë nga brezi dhe qëlloi ndaj të zotit të mjetit”, tha McManus.

Mashkulli u shpall i vdekur në vendngjarje, tha policia e San Antonio.

Pronari i mjetit dhe gruaja që ishte me grabitësin u dërguan në spital, ku listohen i pari si në gjendje të stabilizuar, dhe tjetra në gjendje kritike.

Policia nuk tha se si saktësisht ishte gjurmuar automjeti por përshkruante përballjen si ‘një rast vetëmbrojtjeje’.

Në pamjet nga vendngjarja gruaja grabitëse shihet që ndihmohet nga një oficer policie, ndërsa grabitësi është i shtrirë i palëvizur me fytyrë përtokë.

“Sigurisht që pronari i mjetit kishte të drejtë të gjurmonte mjetin e tij. Do të preferohej që të njoftohej policia para se të merrni situatën në dorën tuaj, por ai bëri atë që ndjente se duhet të bënte”.

Vëllai i vjedhësit të vrarë mohonte të drejtën e pronarit të ndiqte e të vriste personin.

Jose Garcia tha për rrjetin KENS 5: “Nëse vëllai im kishte të drejtë apo jo, atij iu drejtua arma dhe mbrojti veten e tij”.

Garcia e quante pronarin e makinës “vullnetar i armatosur” që vrau dikë për një automjet.

Hetimet vazhdojnë.

FOTO GALERI
4/5
Pronari i mjetit dhe gruaja që ishte me grabitësin u dërguan në spital, ku listohen i pari si në gjendje të stabilizuar, dhe tjetra në gjendje kritike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA