Një britanik që tentoi të kontrabandonte fëmijë emigrantë të moshës 1-vjeç në Britaninë e Madhe, duke i fshehur pas kutive në furgonin e tij është dënuar me 4 vjet burg.

Trevor Saker, 44 vjeç, u dënua në Canterbury Crown Court ditën e djeshme, pasi u shpall fajtor në përpjekjet për të lehtësuar hyrjen e 14 emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit të Agjencisë së Kufirit “UK Border Agency” të cilës i referohet Top Channel, 44- vjeçari u pohoi oficerëve në kufi se po udhëtonte për nga Franca në Britani pasi kishte marrë këpucë për biznesin e ri të gruas.

Saker u arrestua pas një hetimi nga Njësia e Hetimeve Kriminale dhe Financiare të Zyrës së Brendshme.

I pandehuri, i cili tani banon në Cadiz, Spanjë, po ngiste një furgon me qira të Vauxhall Vivaro kur u ndalua nga oficerët e Forcave Kufitare në Zonën e Kontrollit të Mbretërisë së Bashkuar në Coquelles, Francë në korrik 2018. Oficerët gjetën 14 migrantë të paligjshëm në pjesën e pasme të furgonit, të fshehur pas kutive të kartonit.

Emigrantët u identifikuan si shtetas irakianë dhe shqiptarë. Midis grupit ishin 4 fëmijë të moshës 1 deri në 6 vjeç. I pandehuri u shpall fajtor për asistim në emigracionin e paligjshëm pas një hetimi të plotë dhe gjykimit të mëvonshëm.

Chris Foster, Zëvendës Drejtor i Hetimeve Kriminale dhe Financiare në Home Office, tha se: “Ky i pandehur nuk tregoi asnjë kujdes për sigurinë e 14 personave, përfshirë fëmijë të moshës 1 vjeç, për të mbushur xhepin. Ai tashmë ndodhet para drejtësisë dhe ky është një mesazh se oficerët tanë po punojnë natë e ditë për të luftuar kontrabandën e njerëzve dhe për të siguruar që përgjegjësit të marrin dënimin që meritojnë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA