Banorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth 200 milionë ose 60 % e popullsisë totale, po përballen me “kapriçot” e motit, përfshirë stuhi dhe temperatura të larta.
Shërbimi Kombëtar i Motit tha se një valë e rrezikshme e të nxehtit e përfshiu verilindjen dhe qendrën e Atlantikut që pritet të vazhdojë gjatë fundjavës, ndërsa stuhi të forta dhe përmbytje parashikohet se mund t’i godasin zonat në verilindje dhe jug.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ndryshimi i klimës, i nxitur nga djegia e lëndëve djegëse fosile, do të çojë në periudha të zgjatura dhe më të shpeshta të motit ekstrem.
Në lidhje me këtë situatë, sekretari i përgjithshëm Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi se tashmë ka nisur periudha e vlimit global.
“Epoka e ngrohjes globale ka përfunduar, epoka e vlimit ka ardhur. Ajri është i padurueshëm, nxehtësia po ashtu. Niveli i përfitimeve nga karburantet fosile dhe mosveprimi klimatik është i papranueshëm. Ky është vetëm fillimi”, tha Guterres.
Parashikimi për vapën e vazhdueshme vjen një ditë pasi Organizata Botërore Meteorologjike dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian Copernicus shpallën korrikun e vitit 2023 muajin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.
Top Channel