Ushtarët në shtetin e Afrikës Perëndimore të Niger kanë njoftuar për nisjen e një grusht shteti në televizionin kombëtar, pas arrestimit të presidentit Mohamed Bazoum.
Ata deklaruan se kanë shpërbërë kushtetutën, kanë pezulluar të gjitha institucionet dhe kanë mbyllur kufijtë e vendit.
“Ne, forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë… kemi vendosur t’i japim fund regjimit që ju e njihni. Kjo vjen pas përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe qeverisjes së dobët ekonomike dhe sociale. Të gjithë partnerëve të jashtëm u kërkohet të mos ndërhyjnë”, tha Amadou Abdramane-Kolonel i Ushtrisë.
Menjëherë pas njoftimit të kolonelit të ushtrisë , presidentit të vendit iu premtua mbështetje nga SHBA-ja, teksa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të tij.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe dënojmë çdo përpjekje për të marrë pushtetin me forcë. Jemi të angazhuar në mënyrë aktive me qeverinë e Nigerisë, por edhe me partnerët në rajon në botë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa situata të përmirësohet”, u shpreh ai.
Vendi po përballet me dy kryengritje islamike – njëra në jugperëndim, e cila erdhi nga Mali fqinj në vitin 2015, dhe tjetra në juglindje, ku janë të përfshirë xhihadistët. Grupet militante aleate të Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik janë aktive në vend.
Presidenti Bazoum, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike në vitin 2021, është një aleat i ngushtë i Francës dhe vendeve të tjera perëndimore.
Top Channel