Analisti Kreshnik Spahiu, teksa po komentonte qasjen e politikës shqiptare në rrjetet sociale, e ka konsideruar tepër interesante tranzicionin e shqiptarëve nga një popull që deri para dy dekadash shikonte vetëm 4 politikanë, në një shoqëri me 4 milionë shqiptarë “politologë” Facebook-u.
I ftuar në “Top Story”, Spahiu u shpreh se rrjetet sociale në Shqipëri janë një lloj karaoke që nuk e gjen në asnjë vend tjetër të Evropës.
“Unë kam një optikë shumë interesante për rrjetet sociale në Shqipëri. Ne jemi një vend që vijmë nga diktatura komuniste. Nëse para dy dekadash kishim vetëm 4 politikanë që shfaqeshin në media, sot kemi 4 milionë shqiptarë që janë bërë politikanë. Kjo vjen edhe nga uria dhe etja që kanë pasur sepse u mungonte e drejta e fjalës, u mungonte e drejta për të bërë publike qëndrimet e tyre. Dhe sot rrjetet sociale, si rrallë herë në ndonjë vend të Evropës, janë një lloj karaoke. Siç shkojnë njerëzit që duan të shpalosin talentin e tyre në muzikë në një lokal, ashtu janë rrjetet sociale ku çdo shqiptar mundohet të debatoj politikisht. Pavarësisht se gjithsecili këtu ka ekstremet e veta me sharje e fyerje, që janë të ndryshme”- u shpreh Spahiu.
I ndalur tek disa pamje të publikuara nga kryeministri Edi Rama në platformën e tij në Tik Tok duke kënduar “Bella Ciao”, Spahiu mendon se kreu i qeverisë nuk i ka qejf rrjetet sociale, por i shfrytëzon ato sepse e kanë këshilluar që ky është trendi. Sipas Spahiut, qeveria dhe pushteti kanë investuar në rrjetet sociale sepse e kanë kuptuar që këtu është më i arritshëm elektorati, pasi kanë 24 orë kontakt me telefonin.
“Realiteti është ky, Rama nuk mendoj se i ka qejf rrjetet sociale. Ramën e kanë këshilluar se rrjetet sociale janë pjesë e pushtetit. Madje duke iu referuar zgjedhjeve të para disa kohëve në Shqipëri, nga monitorimi që iu është bërë, opozita ka pasur hapësirë të mjaftueshme në ekranet televizive, por kjo nuk ka mjaftuar. Ndërsa, qeveria dhe pushteti kanë investuar e sponsorizuar shumë në rrjetet sociale sepse nga të gjitha vëzhgimet është kuptuar se elektorati kanë 24 orë kontakt me telefonin”- tha Spahiu.
Top Channel