James O’Brien, diplomati me përvojë që është emëruar për postin e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë paralajmëroi të mërkurën se pasojat e vuajtjeve që po shkakton Rusia në Ukrainë do të ndjehen për breza me radhë, por siguroi se SHBA dhe Perëndimi kanë modele që mund të ndjekin për rimëkëmbjen e saj.
“Po flasim për dhimbjen njerëzore që do të vazhdojë për dekada. Ajo që ka shkaktuar Rusia në Ukrainë do të mbetet me ne për breza të tërë. E njëjta gjë vlen për njerëzit që u kanë mbijetuar pasojave të konflikteve nga Ballkani Perëndimor në vitet 1990, ku unë i shërbeva vendit me krenari, e deri në Kaukazet jugore”, tha zoti O’Brien.
Zoti O’Brian po fliste në një seancë me pyetje-përgjigje të Komisionit të Senatit të Marrëdhënieve me Jashtë i cili do të vendosë për marrjen e detyrës nga ana e tij, para se të votojë i gjithë Senati.
Zoti O’Brien, i cili ka qenë i dërguar presidencial për Ballkanin në vitet ’90 gjatë konflikteve në rajon, përmendi koston njerëzore në luftra si ajo që filloi Rusia ndaj Ukrainës, por shtoi se ka mënyra se si mund të realizohet rimëkëmbja.
“Ne kemi modele se si mund të integrojmë ekonomi si ajo e Ukrainës në ekonomi më të pasura dhe të mbështesim njerëzit e atij rajoni. E njëjta gjë është e mundur për njerëzit e Kaukazeve Jugore përreth Detit të Zi e deri në Ballkanin Perëndimor, nëse veprojmë siç duhet në një ose dy vitet e ardhshme”, tha ai para Komisionit.
Zoti O’Brien premtoi se nëse miratohet emërimi i tij, ai do të punojë për të nxitur sigurinë, mirëqenien dhe vlerat amerikane në Evropë dhe Euro-Azi “duke punuar me partnerët tanë” në të gjithë rajonin. Ai premtoi gjithashtu koordinim dhe bashkëpunim me të dyja palët në Kongres.
Mes pyetjeve të tjera, Senatori demokrat Bob Menendez ngriti çështjen e kontrollit të policisë së Shqipërisë në kampin Ashraf 3 në Manzë ku strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian, (MEK).
Zoti Menendez përmendi vdekjen e njërit prej anëtarëve të kampit megjithëse pranoi që ka variante të ndryshme për rrjedhën e ngjarjeve dhe vlerësoi Shqipërinë që i ka strehuar ata.
“Ne kemi nevojë për një garanci të vazhdueshme të sigurisë”, tha ai, duke e pyetur zotin O’Brien nëse mund të angazhohet për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të banorëve të kampit.
“Unë bashkohem me ju në vlerësimin e Shqipërisë, e cila është bërë një vend shumë i rëndësishëm strehimi për një numër njerëzish që kërkojnë azil. Do ta shqyrtoj këtë incident”, tha zoti O’Brien.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri tha se arsyeja e kontrollit ishin dyshimet se organizata ka përdorur territorin shqiptar për të kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit, ndërsa ambasadorja amerikane Yuri Kim mbështeti veprimet e autoriteteve vendase duke deklaruar “se mysafirët e një vendi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Senatores Jeanne Shaheen për situatën në Bosnje, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të qartë udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Milorak Dodik se qëndrimet e tij kundër stabilitetit, janë të papranueshme dhe se do të ketë pasoja nëse nuk tërhiqet prej tyre.
Nëse konfirmohet, zoti O’Brien do të zëvendësojë ish-ndihmës Sekretaren e Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfried e cila dha dorëheqjen nga detyra në mars. Presidenti Joe Biden e emëroi zotin O’Brien në maj për postin më të lartë diplomatik për Evropën në një kohë kritike kur Rusia vazhdon luftën ndaj Ukrainës në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Portofoli i ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë mbulon 50 vende që nga Britania deri në Azerbajxhan, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Në një ndryshim tjetër mes diplomatëve të lartë të Departamentit të Shtetit, Këshilltari i lartë Derek Chollet po largohet, pasi është emëruar për postin e Nënsekretarit të Mbrojtjes për Politikat.
Ai pati mes të tjerash një angazhim të spikatur në përpjekjet diplomatike lidhur me tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Pas emërimit nga Presidenti Biden, ai duhet të marrë konfirmimin nga Senati, që të marrë detyrën e re. /VOA
Top Channel