Prokuroria e Durrësit la të lirë dy personat e arrestuar nga policia pas denoncimit nga disa pushues kosovarë në zonën e plazhit.
Sipas organit të akuzës, nuk ka pasur prova të mjaftueshme se dy shtetasit e arrestuar, Nexhmi Xh. dhe Dritan K., në bashkëpunim kanë konsumuar veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë ndaj 4 pushuesve nga Kosova.
Arrestimi i tyre u njoftua nga policia të mërkurën, ndërkohë që ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje. Ndërsa pritej seanca e vleftësimit dhe caktimit të masës së sigurisë në Gjykatë, dy të arrestuarit u liruan me urdhër të prokurorisë pasditen e vonë të së mërkurës.
Prokurorja e çështjes Enkeleda Xhengo vendosi lirimin e tyre pasi nuk kishte asnjë provë që të mbështeste akuzën ndaj tyre. Ndërkaq për të verifikuar bashkëpunimin mes dy të akuzuarve, prokurorja ka kërkuar verifikimin e tabulateve telefonike për të konstatuar nëse kanë pasur komunikim me njëri-tjetrin, gjë të cilën ata vetë e mohojnë.
Nga hetimet paraprake, sipas prokurorisë rezultoi se mbyllja e derës së garazhit është bërë në mënyrë të rastësishme, pas daljes së një automjeti me të cilin lëviznin dy persona, njëri prej tyre i mitur. Sipas organit të akuzës, në materialet filmike të dorëzuara nga policia dhe që i përkasin një kamere sigurie që sheh nga garazhi i hotelit duket qartë futja në garazh e të rinjve dhe pak çaste më pas mbyllja e qepenit pas daljes së një automjeti ku ndodheshin 2 persona, njëri prej tyre një 16-vjçar, që ka mbyllur dhe hyrjen e garazhit.
Sipas hetimeve paraprake, të rinjtë nga Kosova pas konfliktit të krijuar për shkak të problemeve me rezervimin në hotel, e kanë keqinterpretuar situatën e krijuar nga mbyllja e qepenit të garazhit duke e lidhur me një rrjedhojë të konfliktit me Dritan Kuçajn. Kur kanë tentuar të dalin nga garazhi ku kishin parkuar automjetin kundrejt pagesës kanë mbetur brenda.
Arrestimi ndodhi të dielën në mbrëmje pasi të rinjtë ngelën të mbyllur për 45 minuta në garazhin e pallatit që ndodhet përbri hotelit ku kishin rezervuar online që të qëndronin. Të rinjtë kanë mbërritur paraditen e së dielës në hotel, por u është thënë se hyrja në dhomë (check-in) bëhej në orën 14.00. Ata kanë shkuar në plazh, në pritje të orës së caktuar, po kur janë kthyer në recepsion u është thënë se nuk ka dhoma të lira në hotel.
Në këto momente u është afruar shtetasi Dritan K. Që njihet në zonë si ndërmjetës, sekser dhomash plazhi, i cili u ka ofruar një vend akomodimi më tutje. Pasi kanë qëndruar rreth 4 orë atje, të rinjtë kanë vendosur të largohen pasi nuk u ka pëlqyer, po Dritan K u ka kërkuar të paguajnë 120 euro për 4 orë qëndrim, gjë që ata e kanë refuzuar pasi zgjidhjen për situatën e krijuar dhe pagesën duhet ta merrte përsipër hoteli. Në këtë situatë konfliktuale kanë vendosur t’i drejtohen policisë, por kur kanë hyrë në garazh kanë mbetur të mbyllur aty dhe kanë denoncuar heqjen e paligjshme të lirisë, të diktuar nga konflikti mes tyre për pagesën 120 euro.
Prokuroria ka liruar nga akuza e “heqjes së paligjshme të lirisë” dy të arrestuarit e policisë për momentin, ndërsa hetimet lidhur me ngjarjen dhe konkretisht me konfliktin e lindur mes Dritan Kucaj dhe pushuesve nga Kosova do të vijojnë për veprën penale të “vetëgjyqësisë”, që përbën kundërvajtje penale dhe që parashikon dënim me gjobë ose gjer në tre muaj heqje lirie.
Top Channel