Qasja e policisë rrugore do të reformohet duke mos pasur objektiv gjobën por ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Ky është një prej 5 prioriteteve të ministrit të brendshëm Taulant Balla në 300 ditët e para të drejtimit të kësaj ministrie. Në një prononcim për Top Channel gjatë takimit me efektivët e policisë rrugore të Tiranës mëngjesin e kësaj të enjte Balla tha se marrëdhënia mes qytetarëve dhe policisë duhet të bazohet tek besimi.

“Reformim dhe riformatim i qasjes së policisë rrugore. Prezenca e policisë nuk duhet të jetë në cepa rrugësh dhe shkurre sikur jemi gjahtarë por për të garantuar siguri. Nuk është gjoba objektiv por ndërgjegjësimi.”

Sipas ministrit të brendshëm e ardhmja për policinë është teknologjia.

“Kemi nevoja për të rritur flotën e pajisjeve për evidentimine shkeljeve rrugore jo vetëm makinat inteligjente, radarët, poliscani por do ta shtrijmë edhe në teknologji dhe teknika të reja.”

Pavarësisht se ka një ulje nga viti në vit të aksidenteve, numri i tyre dhe viktimave të shkaktuara është i lartë por përgjegjëse për këtë nuk është vetëm policia.

“Ka shumë aksidente, një pjesë e tyre ndodhin për shkak të mosrespektimit të rregullave te qarkullimit rrugor, kryesisht shpejtësia. Por mos harrojmë se kemi në rrugë shumë makina që janë jashtë kushteve teknike dhe mjete lëvizëse që nuk plotësojnë asnjë kriter.”-tha Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA