Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Përmirësohet situata në disa vatra, problematik fshati Buz në Memaliaj

26/07/2023 17:18

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e të dhënave mbi situatën e zjarreve në vend.

Përmes një njoftimi, Mbrojtja thekson se si rezultat i punës së pandërprerë të emergjencave civile, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, është arritur të përmirësohet situata në disa vatra zjarri në territorin e vendit.

Është fikur zjarri në drejtim të Kreshpanit, në masivin me ullishte dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH. Ndërkohë po vazhdon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve në masivin pyjor Plyk- Kraps-Gjorkos.

Në fshatin Hekal, në Mallakastër situata është nën kontroll dhe po izolohet edhe vatra e fundit aktive. Po vijon operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Vlorë.

E vështirë është puna e forcave të emergjencave për shkak të terrenit në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj. Por përhapja e zjarrit është e dobët, pasi zjarri ndodhet mes dy zallishteve.

Është arritur të izolohet plotësisht zjarri në malin e Gjallicës në njësinë administrative Shtiqen, në Kukës. Po ashtu janë vënë tërësisht nën kontroll flakët dhe vatrat në fshatin Mandaj, në njësinë administrative Helmas në Kavajë.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA