Një sistem jetik i rrymave oqeanike mund të shembet brenda disa dekadash nëse bota vazhdon të prodhojë të njëjtën sasi ndotje duke shkaktuar ngrohjen e planetit, paralajmërojnë shkencëtarët. Ngjarja do të ishte katastrofike për motin dhe mund “të prekë çdo person në planet”.
Një studim i ri i botuar ditën e djeshme në revistën Nature, zbuloi se Rryma Meridionale e Përmbysjes së Atlantikut – pjesë e së cilës është edhe Rryma e Gjirit – mund të shembet rreth mesit të shekullit XXI ose në fillim të vitit 2025.
Duke komentuar studimin, shkencëtarët i thanë CNN se pika e saktë e kthesës për sistemin tashmë në gjendje kritike është e pasigurt dhe se matjet e rrymave deri më tani kanë treguar pak prirje për ndryshim. Ata ranë dakord se rezultatet janë alarmante dhe ofrojnë prova të reja se pika e kthesës mund të ndodhë shumë më shpejt se sa mendohej më parë.
AMOC është një lëmsh kompleks rrymash që funksionon si një rrip transportues global gjigant. Ai transporton ujë të ngrohtë nga tropikët në drejtim të Atlantikut të Veriut, ku uji ftohet, bëhet më i kripur dhe zhytet thellë në oqean, përpara se të përhapet në jug. AMOC luan një rol vendimtar në sistemin klimatik, duke ndihmuar në rregullimin e modeleve globale të motit. Rënia e “lëmshit” të rrymave do të kishte implikime të mëdha, duke përfshirë dimra shumë më ekstremë, një rritje të nivelit të detit në pjesë të Evropës dhe SHBA-së, si dhe një zhvendosje të musonit në tropikët.
Për vite të tëra, shkencëtarët kanë paralajmëruar për paqëndrueshmërinë e AMOC me përshpejtimin e krizës klimatike, duke theksuar se kjo kërcënon të prishë ekuilibrin e temperaturës dhe kripësisë nga ku varet forca e këtyre rrymave. Ndërsa oqeanet nxehen dhe akulli shkrihet, më shumë ujë i ëmbël derdhet në oqean duke zvogëluar densitetin e ujit, dhe e bërë atë më pak të aftë të fundoset. Kur ujërat bëhen shumë të freskëta, shumë të ngrohta ose të dyja, rripi transportues ndalon.
Ka ndodhur edhe më parë. Më shumë se 12,000 vjet më parë, shkrirja e shpejtë e akullnajave bëri që AMOC të mbyllej, çka solli luhatje të mëdha të temperaturës së Hemisferës Veriore me 10 deri në 15 °C brenda një dekade.
Një mbyllje “do të prekte çdo person në planet – është kaq i madh dhe i rëndësishëm”– tha Peter de Menocal, presidenti i Institutit Oqeanografik Woods Hole, i cili nuk ishte i përfshirë në studim. Një raport i vitit 2019 nga Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike parashikoi se AMOC do të dobësohej gjatë këtij shekulli, por se kolapsi i tij i plotë nuk do të kishte gjasa përpara vitit 2100.
Ky studim i ri vjen në një përfundim shumë më alarmues. Meqenëse AMOC është monitoruar vazhdimisht që nga viti 2004, autorët e studimit e zhvilluan kërkimin në një bazë të dhënash shumë më të madhe, që mund të tregonte se si silleshin rrymat në një periudhë pa ndryshime klimatike të shkaktuara nga njeriu.
“Duhej të ktheheshim pas në kohë”- tha Peter Ditlevsen, profesor i fizikës klimatike në Universitetin e Kopenhagës dhe një nga autorët e raportit. Shkencëtarët analizuan temperaturat e sipërfaqes së detit në Atlantikun e Veriut, në një zonë në jug të Grenlandës, gjatë një periudhe prej 150 vjetësh midis 1870 dhe 2020.
Kjo pjesë e oqeanit ngrohet nga uji i transportuar në veri nga tropikët nga AMOC, tha Ditlevsen, “kështu që nëse ftohet, kjo është për shkak se AMOC po dobësohet“. Më pas, autorët zbritën ndikimet e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu në temperaturën e ujit për të kuptuar se si po ndryshonin rrymat.
Ata gjetën “sinjale paralajmëruese të hershme” të ndryshimeve kritike në AMOC, gjë që i bëri të parashikonin me përafërsi se si mund të mbyllej ose shembej “lëmshi” i rrymave në një periudhë kohore nga viti 2025 dhe jo më vonë se 2095. Pika më e mundshme e kolapsit është diku midis vitit 2039 dhe 2070, tha Ditlevsen.
“Është vërtet e frikshme. Kjo nuk është diçka që do ta vendosni lehtë në dokumente”- tha Rahmstorf për CNN, duke shtuar se “kemi shumë besim se ky është një rezultat i fortë.”
De Menocal tha se rezultatet e studimit ishin “si befasuese dhe alarmante”. Është e qartë se AMOC do të dobësohet në dekadat e ardhshme, u shpreh ai për CNN. Në vitin 2021, një studim zbuloi se AMOC po tregonte shenja paqëndrueshmërie për shkak të ndryshimeve klimatike. Por deri më tani, ne nuk kemi pasur një kornizë kohore.
Studimi i ri “ofron një analizë të re që fokusohet në atë se kur do të ndodhë pika e kthesës AMOC“- tha De Menocal, duke shtuar se parashikimi i studimit se kolapsi do të ndodhë rreth vitit 2050 “është alarmante marrë parasysh këtu edhe ndikimin shkatërrues global të një ngjarje të tillë”. Megjithëse, shtoi ai, është e rëndësishme të theksohet se nuk ka ende prova vëzhguese që AMOC po shembet.
Stefan Rahmstorf, profesor i fizikës së oqeaneve në Universitetin e Potsdamit në Gjermani, i cili gjithashtu nuk ishte i përfshirë në studim, tha se kërkimi ndihmon në forcimin e kërkimeve të mëparshme.
“Ekziston ende një pasiguri e madhe se ku është pika e kthesës së AMOC, por studimi i ri shton dëshminë se është shumë më afër sesa menduam vetëm disa vjet më parë. Dëshmia shkencore tani është se ne nuk mund të përjashtojmë kalimin e një pike kthese në një apo dy dekadat e ardhshme”- tha Rahmstorf për CNN.
Raporti bën thirrje për masa të shpejta dhe efektive për të ulur ndotjen dhe ngrohjen e planetit në zero, si dhe uljen e temperaturave globale dhe ngadalësuar shkrirjen e akujve në Arktik.
“Pika kryesore e këtij studimi është se ne nuk kemi shumë kohë për ta arritur këtë“- tha De Menocal.
Top Channel