Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur në qytetin e Durrësit, të dielën, ku katër pushues nga Kosova janë mbajtur peng në parkimin e një banese.
Ata kanë dashur të kalojnë disa ditë pushime në plazh, por pronari i një prej banesave ku kërkonin akomodim, së bashku me një person tjetër ia kthyen në makth eksperiencën.
D. K. dhe N. Xh., i kanë mbajtur ata peng përreth 45 minuta, me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin në banesë.
Dy të ndaluarit kanë dalë sot para gjykatës, e cila ka vendosur lirimin me kërkesë të prokurorit, i cili e ka konstatuar arrestimin të paligjshëm.
Të rinjtë iu drejtuan fillimisht një hoteli në Durrës por në pamundësi për të gjetur dhoma të lira, i janë drejtuar personave që ofrojnë dhoma me qira në banesat e tyre në plazh. Ata kanë shkuar të shohin dhomat në banesën e D. K. dhe nuk u kanë pëlqyer kushtet, ndaj kanë dashur të largohen në kërkim të një akomodimi tjetër.
Në këto rrethana pronari i dhomave të plazhit ka insistuar që ata të marrin dhomat e tij. Në përpjekje për të siguruar klientelën e shumë dëshiruar dy durrsakët i mbyllën katër kosovarët.
Në këto kushte njëri prej të rinjve i ka telefonuar policisë mbi ngjarjen e cila ka ndërhyrë në lagjen nr.13 në Durrës.
Top Channel