Izrael: Përshkallëzohen protestat kundër ndryshimeve në sistemin gjyqësor

26/07/2023 14:55

Protestat janë përshkallëzuar në Izrael pas miratimit të hënën të ligjit që kufizon pushtetin e gjyqësorit, një lëvizje që kritikët thonë se kërcënon demokracinë.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein nga Jeruzalemi, dhjetëra mijëra izraelitë kanë bllokuar rrugët dhe thonë se do të vazhdojnë të protestojnë.

Ligji për të kufizuar pushtetin e Gjykatës së Lartë, duke i hequr të drejtën për të rrëzuar vendimet e qeverisë kaloi me 64 vota pro dhe asnjë kundër, pasi opozita e bojkotoi votimin në parlament.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se reagimi i kritikëve është i ekzagjeruar.

“Izraeli duhet të mbetet një demokraci e fortë. Do të ruhen të drejtat individuale për të gjithë. Gjyqësori do të vazhdojë të jetë i pavarur dhe asnjë palë nuk do ta kontrollojë atë”, thotë kryeministri në një mesazh me video, që u publikua nga zyra për media e zotit Netanjahu.

Por shumë njerëz nuk pajtohen, duke pasur frikë se ky është vetëm hapi i parë i një procesi për t’i hequr pushtetin Gjykatës së Lartë dhe për t’ia kaluar atë qeverisë së krahut të djathtë.

Pas miratimit të ligjit, dhjetëra mijëra njerëz protestuan duke bllokuar rrugët në Jerusalem dhe Tel Aviv. Në disa raste pati edhe përleshje me policinë. Policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit duke arrestuar dhe lënduar disa persona.

Ndërsa Izraeli ka parë protesta në shkallë të gjerë në të kaluarën, vëzhguesit thonë se nuk ka pasur një lëvizje të qëndrueshme që të kenë zgjatur më shumë se gjashtë muaj si në këtë rast.

“Këto protesta janë të ndryshme. Mendoj se rreziqet dhe pjesëmarrja janë të ndryshme. Për ata që udhëheqin dhe marrin pjesë në protesta, sigurisht ekziston besimi se qeveria izraelite është e prirur për të ribërë, jo vetëm politikat dhe axhendën politike të shtetit, por mënyrën se si qeveriset Izraeli”, thotë David Horovitz, kryeredaktor i gazetës “Times of Israel”.

Shtatë muaj demonstrata masive kundër rishikimit të gjyqësorit arritën në një nivel tjetër javën e fundit përpara votimit kur dhjetëra mijëra marshuan nga Tel Avivi drejt parlamentit në Jerusalem.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur demokracinë tonë dhe kjo është ajo që ne mund të bëjmë. Do të ishte për të ardhur keq, nëse qeveria jonë injoron të gjithë këta njerëz që po vijnë në Jerusalem dhe që po protestojnë në mbarë Izraelin”, thotë Nurit Binyamini, një nga protestueset.

Përveç demonstratave, më shumë se 10,000 rezervistë të ushtrisë izraelite, duke përfshirë qindra nga njësitë elitare, thonë se nuk do t’i përgjigjen thirrjeve për t’u mobilizuar, nëse miratohen ligjet për ndryshimet në pushtetin e gjyqësorit.

Ata thonë se refuzojnë t’i shërbejnë një regjimi jodemokratik.

Udhëheqësit ushtarakë paralajmërojnë se refuzimi i rezervistëve për t’iu përgjigjur thirrjeve do të dëmtonte aftësinë e Izraelit për të luftuar në një konflikt të ardhshëm.

“Unë jam më i vjetër tani dhe nuk jam më në shërbim, por të dy djemtë e mi që janë aktiv në grupet rezervë kanë nënshkruar një deklaratë se nuk do të shërbejnë më. Miqtë e mi, që janë këtu rreth nesh, kanë nënshkruar të gjithë se do të pushojnë së shërbyeri sepse asnjë prej nesh, që jemi demokratë liberalë, nuk dëshiron të jetë në forcat e armatosura të një diktature”, thotë Jonathan Golan nga një grup që e quan vetën Lëvizja “Vëllezër Armësh”

Përkrahësit e ndryshimeve në gjyqësorin izraelit thonë se ligji i sapo miratuar është vetëm hapi i parë i ndryshimeve. Kundërshtarët e kanë apeluar atë në Gjykatën e Lartë dhe thonë se do të vazhdojnë protestat deri në anulimin e ndryshimeve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA