Analistët: Shkarkimi i ministrit të jashtëm kinez reflekton problemet e brendshme

26/07/2023 22:19

Organi kryesor vendimmarrës i parlamentit simbolik të Kinës votoi të martën për largimin e ministrit të Jashtëm Qin Gang dhe riemërimin në këtë post të pararendësit të tij, Wang Yi.

Analistët thonë se ndryshimi befasues, disa javë pasi zotin Qin u zhduk nga aktivitetet publike, reflekton trazirën e brendshme në sistemin diplomatik të Kinës dhe se pritet të ketë ndikim negativ tek angazhimi i Pekinit me vendet e tjera.

Diplomati 57-vjeçar i karrierës shikohej prej kohësh si një nga aleatët e besuar të udhëheqësit kinez Xi Jinping. Ai u emërua ministër i jashtëm i Kinës dhjetorin e kaluar, pasi shërbeu si ambasador në Shtetet e Bashkuara gjatë pandemisë COVID-19. Ai nuk u shfaq më në publik pasi u takua me zyrtarë nga Sri Lanka, Vietnami dhe Rusia, më 25 qershor.

“Karriera politike e Qin Gangut ka mbaruar dhe besoj se Wang do të luajë një rol tranzitor në këtë krizë brenda sistemit diplomatik të Kinës”, i tha Zërit të Amerikës akademiku kinez Wu Qiang. Ai shtoi se heqja e zotit Qin dhe thashethemet që kanë shoqëruar zhdukjen e tij, reflektojnë nivelin e pasigurisë brenda udhëheqjes së lartë të Kinës.

Media shtetërore kineze nuk ka komentuar për heqjen e zotit Qin, por ajo pasoi javë të tëra spekulimesh për mungesën e tij të zgjatur në publik. Mungesa e informacionit për situatën e tij, është në përputhje me traditën e hershme të Partisë Komuniste kineze për të mos diskutuar çështje delikate.

“Nuk ka asnjë shpjegim për shkarkimin e tij, gjë që krijon përshtypjen e një procesi jo të rregullt, të pasigurisë dhe arbitraritetit”, thotë Ian Chong, ekspert për politikën e jashtme të Kinës në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

Zoti Qin, që shihej si një përfaqësues kompetent i Kinës në mbarë botën, besohet se luajti një rol kyç për rikthimin e komunikimit mes Pekinit dhe Uashingtonit gjatë javëve të fundit. Që nga e marta në mbrëmje, Kina kishte hequr informacionin për zotin Qin nga faqja në internet e ministrisë së jashtme.

Disa vëzhgues thonë se ngjitja e shpejtë e tij në shkallët e hierarkisë reflekton rreziqet që vijnë nga “politikat e një personi” të Presidentit kinez Xi – tashmë emërimet e personelit nuk përcaktohen më nga një proces shqyrtimi i brendshëm.

“Kina dikur ishte shumë rigoroze në emërimin e personelit, që përfshinte shqyrtimin e historikut të kandidatëve dhe konsultimin me palët e ndryshme të përfshira”, tha Alfred Wu, ekspert për politikat kineze në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

Ai i tha Zërit të Amerikës se procesi i centralizuar i vendimmarrjes të Presidentit Xi Jinping ka “çaktivizuar” kontrollet dhe balancat që ekzistonin në Partinë Komuniste.

“Sistemi i Kinës është i prishur”, tha zoti Wu.

Një përpjekje për të minimizuar ndikimin e heqjes së ministrit Qin

Analistët mendojnë se vendimi për të zëvendësuar zotin Qin me një figurë me përvojë si zoti Wang pasqyron një dëshirë të udhëheqjes së lartë të Kinës për të minimizuar ndikimin e ndryshimit të papritur të personelit.

“Në këtë pikë, udhëheqja mund të mos ketë besim tek zëvendësat e zotit Qin, kështu që ata shpresojnë të emërojnë dikë që përfaqëson një shkallë të caktuar vazhdimësie si ministër i Jashtëm i Kinës”, tha zoti Chong.

Eksperti kinez Wu shton se Pekini shpreson të minimizojë ndikimin e largimit të zotit Qin duke emëruar një figurë të njohur si zoti Wang në rolin e ministrit të Jashtëm.

“Pekini dëshiron të vërë nën kontroll dëmin për sa i përket ndërveprimit me vendet e tjera dhe zëvendësimi i Qin me Wang mund të shmangë krijimin e pasigurisë së mëtejshme”, shpjegoi ai.

Zoti Wang, i cili ishte ministër i Jashtëm i Kinës në periudhën 2013-2022, tashmë është edhe drejtor për punët e jashtme të Partisë Komuniste dhe ministër i Jashtëm i Kinës, gjë që disa ekspertë thonë se mund të jetë kundërproduktive për zbatimin e politikës së jashtme të Kinës.

“Emërimi i Wangut mund të shihet si një marrëveshje kalimtare, e cila mund të kompromentojë efektivitetin e shtrirjes ndërkombëtare të Kinës”, tha Wen-ti Sung, ekspert mbi politikat kineze në Universitetin Kombëtar Australian. Ai beson se parashikueshmëria dhe transparenca janë thelbësore për “mundësimin” e dialogëve dhe ndërtimin e besimit.

Asnjë ndryshim në drejtimin e politikës së jashtme të Kinës

Largimi i zotit Qin vjen mes përpjekjeve të Kinës për të rifilluar aktivitetet e saj diplomatike pas daljes nga izolimi tre-vjeçar nga COVID-i. Në muajt e fundit, Presidenti Xi ka zhvilluar takime dypalëshe me dhjetëra udhëheqës botërorë dhe Pekini ka organizuar disa takime ndërkombëtare me aleatë në pjesë të ndryshme të botës.

Eksperti kinez Wu beson se ndryshimi i papritur në sistemin diplomatik të Kinës nuk do të ndikojë në drejtimin e politikës së jashtme të Kinës, pasi ministrat e jashtëm shërbejnë kryesisht për të ekzekutuar, jo për të përcaktuar politikën e jashtme në Kinë.

“Pavarësisht se kush është ministër i jashtëm, Kina do t’i përmbahet diplomacisë të ‘kreut të shtetit’ në të ardhmen e afërt dhe prioriteti i saj do të jetë Takimi i Nivelit të Lartë i APEC-ut që do të mbahet në SHBA në fund të vitit 2023”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Edhe pse drejtimi i politikës së jashtme të Kinës do të mbetet i pandryshuar, zoti Wu mendon se do të ketë më pak “stil personal” pasi zoti Wang të marrë rolin e ministrit të Jashtëm.

“Wang ka të ngjarë të duhet ta modifikojë stilin e tij të ashpër diplomatik dhe të marrë një përqasje më të moderuar, sepse kjo është ajo që Kinës i duhet kur merret me gamën e gjerë të sfidave diplomatike me të cilat përballet”, tha ai./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA