Prokuroria e Posaçme SPAK ka dërgjuar për gjykim oficerin e policisë gjyqësore Sokol Canameti, pasi akuzohet se duke ushtruar presion, mori 2 mijë € për të liruar një person që e kapi me drogë.
SPAK thotë se nga tërësia e hetimeve të kryera, Flatin Kuzari dhe Erjon Kuzari, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dhënë shumën prej 235.000 (dyqind e tridhjetë e pesë mijë) lekë oficerit të policisë gjyqësore Sokol Canameti, në këmbim të lënies së lirë, të shtetasit Erjon Kuzari i cili ishte kapur nga autoritetet e policisë në posedimin e një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë.
Oficeri i policisë gjyqësore Sokol Canameti, duke shfrytëzuar funksionin e tij, me rol në procedurën e shoqërimit të një personi të dyshuar të kapur me lëndë narkotike, e duke qenë referues i veprës penale në prokurori, ka abuzuar duke ushtruar presion, se do ta arrestonte shtetasin Erjon Kuzari, nëse ai nuk do ti jepte shumën prej 2000 eurosh.
Pra ai ka kërkuar që kjo shumë ti dorëzohej brenda ditës, duke vendosur dhe orar. Ai është takuar me babain e Erjonit, shtetasin Flatin Kuzari, i cili në kushte të vështira ekonomike, e kishte siguruar këtë shumën duke e marrë hua, tek të njohur të tij, dhe rreth orës 19.00 të datës 10.10.2022, ia ka dhënë këtë shumë oficerit të policisë gjyqësore në afërsi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Hetimet e këtij procedimi janë kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin dhe kontrollin e prokurorit të posaçëm.
Top Channel