Si nëpër filma/ Me dy makina të vjedhura, i riu merr arratinë nga spitali për t’i shpëtuar Policisë

25/07/2023 17:51

Blutë e Tiranës kanë dëshmuar sot një ngjarje të pabesueshme, të cilën shpesh jemi mësuar ta shohim nëpër filmat thriller apo aksion, ku një person me probleme të shëndetit mendor është përfshirë në dy aksidente të njëpasnjëshme dhe një “plan” arratie.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30. Me të marrë njoftimin se te ish-Uzina e Autotraktorëve ka ndodhur një aksident, Shërbimet e Policisë dhe të urgjencës, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për kryerjen e veprimeve hetimore dhe dhënien e ndihmës së parë. Ata kanë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasin F. F., 32 vjeç, i cili kishte mbetur i dëmtuar nga aksidenti, dhe dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor.

Pas verifikimit të automjetit tip “Volkswagen”, të përfshirë në aksident, ka rezultuar se ky automjet, ishte vjedhur disa minuta më parë, në Fushë-Farkë.

Ndërkaq, 32-vjeçari me të marrë ndihmën mjekësore, është larguar menjëherë nga spitali. Në momentin që është larguar, në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë tentativës për t’u larguar, shtetasi F. F., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit në autostradën Tiranë-Durrës, dhe për pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera në rrugë.

Në vijim të veprimeve hetimore, Policia bëri të mundur arrestimin e 32-vjeçarit, ndërkaq materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA