Kina shkarkon ministrin e jashtëm, pas zhdukjes së pashpjeguar nga syri publik (fotot)

25/07/2023 17:40

Kina njoftoi se ka larguar Qin Gang nga posti i ministrit të jashtëm, vetëm shtatë muaj pas emërimit.

Zoti Qin konsiderohej si bashkëpunëtor i afërt i presidentit Xi Jinping por prej disa kohësh nuk është shfaqur më në publik, çka është shoqëruar menjë heshtje misterioze nga autoritetet.

Vendi i tij do të merret nga kreu i politikave të jashtme të Partisë Komuniste Wang Yi.

Paraqitja e fundit e zyrtarit të lartë 57-vjeçar ishte bërë më 25 qershor dhe ende asnjë arsye nuk është dhënë për largimin e tij, çka i ka dhënë zë spekulimeve të ndryshme.

“Legjislatorët kinezë kanë emëruar Wang Yi si ministër të jashtëm,” njoftonte agjencia shtetërore Xinhua teksa shtonte shkurtimisht: “Qin Gang është larguar nga posti i ministrit të jashtëm.”

Raportimi shtonte se dekreti i lëvizjeve ne poste ishte firmosur nga presidenti komunist Xi teksa ishte nënshkruar gjithashtu emërimi i krye-ekonomistit të bankës qendrore Pan Gongsheng në vend të guvernatorit në largim Yi Gang.

Sipas rregullave të partisë komuniste kineze, politikat e jashtme të vendit hartohen nga zyrtarët e lartë të partisë që udhëzojnë ministrin e jashtëm t’i zbatojë.

Wang Yi po kthehet kështu në postin që mbante dhe në 2018 deri në 2022, teksa aktualisht është në Afrikën e Jugut duke marrë pjesë në samitin e vendeve të aleancës Brics.

Ndërkohë ministri i zhdukur kinez Qin Gang ishte kthyer në një prej fytyrave më të njohura ndërkombëtarisht të qeverisë dhe mungesa e tij ishte analizuar gjerë nga specialistët dhe publiku.

Kur ai u zhduk nga detyrat e zakonshme një muaj më parë dhe mungoi në samitin në Indonezi, një shpjegimi shkurtër u dha për probleme shëndetësore.

Por mungesa e detajeve la të kuptohej se ai ishte në fakt duke u dënuar për arsye politike apo të një lidhjeje jashtë martesore të përfolur në media.

Zoti Qin është zyrtari më i lartë kinez që zhduket thuajse pa arsye nga syri publik, siç ka ndodhur edhe më parë, dhe më pas çështja është justifikuar me “një hetim kriminal mbi personin”.

Zhvillimet vijnë pas zhurmave për lidhjen e tij me prezantuesen e njohur kineze Fu Xiaotian, 40 vjeçe, e cila gjithashtu nuk është parë prej disa kohësh, pas publikimit të një interviste ku dyshja dukej hapur që flirtonin me njëri-tjetrin.

Aktivistja kineze Lin Shengliang theksonte se Qin ishte ambasador i Kinës në SHBA në 2021 dhe se intervista ‘flirtuese’ kishte ndodhur në mars 2022. Ndërsa në nëntor Fu kishte lindur djalin e saj.

Në postimin e fundit para se të zhdukej nga syri i publikut Fu kishte postuar një avion, një pamje të intervistës me Qin, dhe një foto të vetes me të birin.

Aferat romantike po bëhen një zakon dhe për zyrtarët kinezë teksa raportohet se ato përdoren si pretekst për largimin e atyre që nuk preferohen më nga udhëheqja, shkruan Daily Mail.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA