Turistët britanikë që po qëndrojnë në pjesë të ishullit të Rodos që nuk janë prekur nga zjarret thonin sot se ‘nuk ka asgjë për t’u shqetësuar’ pasi vetëm 20 përqind e ishullit grek është prekur nga zjarret, megjithë lajmet alarmiste në media që paralajmërojnë njerëzit të mos udhëtojnë, shkruan rrjeti Daily Mail.
Zhvillimi vjen pas publikimit të një videoje të ekzagjeruar nga BBC, të një piloti të linjave easyJet që u thoshte britanikëve duke u përlotur të mos udhëtonin drejt Rodos.
Shumica e Evropës jugore po jeton një nga verat më të nxehta e më të thata që sipas ekspertëve shkaktohet nga ndryshimet klimatike, por të gjithë turistët që nuk gjenden në juglindje të Rodos, zona më e prekur prej flakëve, thonë se do të vijojnë të shijojnë pushimet e tyre.
Zhvillimi vjen mes zemërimit të gjerë në Greqi për zgjatjen e flakëve dhe raportimet se zyrtarët kanë ndaluar vullnetarët në Rodos të japin ndihmën e tyre kundër zjarreve.
Ministrja greke e turizmit Olga Kefalogianni, insistonte se udhëtarët duhet të fluturojnë drejt rezorteve të Rodos pasi në aeroportin e ishullit nuk ka probleme dhe se vetëm 10 deri në 20 përqind e ishullit është prekur nga flakët.
Ajo shtonte se hotelet e prekura nga problemet e zjarreve përmbajnë vetëm 15 përqind të kapacitetit pritës të ishullit.
Britania deri tani nuk ka ndaluar zyrtarisht qytetarët të udhëtojnë drejt ishullit grek edhe pse disa deputetë konservatorë kanë kërkuar që ishulli të shtohet në listën e destinacioneve të rrezikshme.
Britanikët në rezortin luksoz të Kallithea, në veri të Rodos, thonin sot për MailOnline se nuk ishin të shqetësuar për zjarret
Operatori turistik Tui tha se vetëm 42 hotele janë të prekura në juglindje të ishullit, në zonat Kiotari, Gennadin, Plimiri, Lardos, Lindos, Pefkoi e Vlicha.
Tui shtonte se kishte rreth 39,000 turistë të ardhur në ishull, nga të cilët vetëm 7,800 ose 20 përqind ishin prekur në njëfarë mënyrë nga problemet e zjarreve.
Ndërkohë më shumë se 260 zjarrfikës po luftojnë me flakët në ditën e tetë të zjarreve masive në ishull./Daily Mail/
Top Channel