Një grup kriminal që kryente vjedhje me armë dhe me dhunë është goditur nga policia në Himarë.
Ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë.
Gjithashtu, dyshohet se kanë kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare. Para vjedhjeve, pjesëtarët e grupit kriminal shkatërronin kamerat e sigurisë, që të mos identifikoheshin.
Policia është njoftuar për vjedhjen në dy vila në një kompleks banesash në pronësi të shtetasve A. D. dhe L. D., si dhe tentativën për vjedhje në një banesë në afërsi të kompleksit, në orët e para të mëngjesit të datës 22.07.2023, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer hetime të thelluara proaktive për zbardhjen e këtyre rasteve.
Pas sigurimit të provave u ndaluan: Silver Koci,, 31 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë dhe me armë; Spartak Gega, 22 vjeç, banues në Durrës, me precedent të mëparshëm për vjedhje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim Armando Psatha, 33 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10 000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve.
Në vijim të operacionit u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i vjedhjes në banesën e shtetasit A. H., në Golem, Kavajë, vjedhje e kryer dy ditë më parë, po nga pjesëtarët e këtij grupi, të cilët kanë marrë një shumë të konsiderueshme vlerash monetare në euro, paund, dollar dhe lekë.
Në datën 11.08.2022, ata kanë vjedhur në banesën e shtetasit V. B., në Himarë; në datën 21.08.2022, kanë vjedhur sende dhe vlera monetare në një hotel në pronësi të shtetasit D. Sh., në fshatin Borsh; në datën 21.08.2022, kanë vjedhur vlera monetare dhe sende me vlerë, në vilën e shtetasit K. N., në një kompleks banimi në fshatin Dhërmi.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel