Situata në Greqi vijon të mbetet e rëndë, teksa dhjetëra vatra të mëdha zjarresh vijojnë të mbeten aktive duke detyruar mijëra persona të evakuohen.
Rodosi, një nga zonat më të rëndësishme turistike, po përballet me situatën apokaliptike me zjarre tashmë të pakontrollueshme nga ekipet e zjarrfikësve, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Në këtë zonë janë djegur qindra shtëpi dhe hotele, që kanë detyruar 30 mijë turistë të largohen me shpejtësi.
Gjithsej janë 64 vatra zjarri aktive të mëdha, ndërsa disa prej tyre konsiderohen tepër të rrezikshme.
Në aeroportin qëndror të Rodosit janë vendosur qendra evakuimi, për turistët që kërkojnë të largohen nga Greqia, me avionët e mundësuar nga qeveria vendase.
Më situatë të vështirë po përballet edhe në ishullin grek të Korfuzit, ku autoritetet evakuuan rreth 2,500 persona.
Në Korfuz, zjarri është ndezur në pjesën veri-lindore të ishullit dhe në jug të Perithias, por sipas zjarrfikësve ende nuk ka arritur në asnjë vendbanim. Për shuarjen e zjarrit po punojnë 62 zjarrfikës me 21 automjete dhe tre grupe të njësive këmbësore, ndërsa nga ajri dy helikopterë dhe dy avionë.
Erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë vështirësuar akoma më shumë situatën e zjarreve me të cilën po përballet Greqia, në pikun e sezonit turistik.
Ekuipazhet kanë luftuar me flakët në disa pjesë të Greqisë për rreth një javë, ndërsa ndihma në personel dhe mjete zjarrfikëse përfshirë helikopterë kanë ardhur nga vendet e tjera të botës.
Top Channel