Tymi i zi ka pushtuar qytetin bregdetar të Vlorës, pasi vendgrumbullimi i mbetjeve urbane u përfshi nga flakët këtë të diel.
Flakët kanë përshkuar pothuajse të gjithë fushën e mbetjeve urbane të qytetit. Siç shihet në pamje, tymi ka pushtuar një sipërfaqe të madhe, duke shkaktuar dëm kolosal për qytetin, pasi djegia e mbeturinave çliron kimikatet e dëmshme për organizmin.
Situata është përkeqësuar, pasi zjarri është duke përparuar dhe djegur plastika gjë që vështirëson punën e zjarrfikëseve.
Forca të shumta zjarrfikëse por dhe punonjës të bashkisë janë duke punuar për të izoluar flakët, por era që fryn ndihmon zjarrin.
Zjarri i madh rrezikon edhe banesat afër vatrës.
Fusha e mbetjeve urbane në Vlorë është përfshirë edhe më parë nga flakët, ndërsa shkaqet nuk dihen ende, teksa nuk përjashtohet fakti se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.
Top Channel