Shijak/ Në kërkim për kultivim të kanabisit dhe posedim të një arsenali armësh, arrestohet 43-vjeçari

23/07/2023 13:14

Është vënë në pranga një 43-vjeçar nga Shijaku i cili ishte shpallur në kërkim për kultivim të kanabisit dhe posedim të një arsenali armësh.

43-vjeçari i quajtur Selman Krasniqi në bashkëpunim me vëllanë e tij F.K i cili është arrestuar gjatë operacionit “Krahët e krimit”, të zhvilluar më 1 janar 2023, janë të akuzuar për kultivim kanabisi. Gjatë këtij operacioni u zbuluan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, prej ku u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Gjithashtu në një ambient me mur të dyfishtë, u gjet i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

43-vjeçari ka precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtes pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA